Qeveria miraton Projektligjin për financimin e subjekteve politike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme e ka miratuar projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Risitë që pritet të sjellë ky projektligj është përzgjedhja e auditorëve profesional për auditimin e raporteve të financave të subjekteve politike, dhe publikimi i raporteve financiare të partive politike.

Vendimi për inicimin e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji është marrë pas përfshirjes së kësaj çështje në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së.

Në kuadër të këtij plani decidivisht parashihet qe të gjitha institucionet përkatëse kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në Kosovë.

Ky plan rekomandon që në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, të bëhet përzgjedhja e auditorëve profesional për auditimin e raporteve të financave të subjekteve politike, dhe të bëhet publikimi i atyre raporteve.

Duke u bazuar në këtë plan, Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit si organ propozues i këtij akti ligjor ka zhvilluar procesin e konsultimeve paraprake dhe publike.

Me qëllim që ky projektligj t’i nënshtrohet një analize dhe shqyrtimi profesional, Qeveria i është drejtuar edhe Komisionit të Venedikut për të marrë rekomandimet e tyre.

Komisioni i Venedikut me anë të opinionit të lëshuar ka pranuar rekomandimet për dispozitat përkatëse ligjore të parapara në kuadër të projektligjit dhe pas pranimit të këtyre rekomandimeve, është bërë inkorporimi i tyre në versionin përfundimtar të projektligjit.

Me qëllim që të gjitha palët e interesuara të njihen me rekomandimet e komisionit të Venedikut dhe inkorporimit të këtyre rekomandimeve të draftin e Projektligjit, është organizuar sërish një rund i ri i konsultimeve paraprake dhe publike, ku pas këtyre konsultimeve, të gjitha rekomandimet e pranuara nga akterët relevant, janë shqyrtuar dhe janë inkorporuar në draftin final të Projektligjit.