Çka thuhet për Kosovën në raportin e organizatës për Iniciative Globale?

Legjislacion kontradiktor sa i përket financimit të partive politike dhe zgjedhjeve në Kosovë, ndërmarrje publike që punojnë me humbje dhe integritet i dobët në prokurimin publik janë disa prej konstatimeve për Kosovën në raportin e Organizatë Inciativa Globale.

Ky raport është publikuar më 23 qershor nga Organizata jo-qeveritare Iniciativa Globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Raporti tregon se në Kosovë krahas Kushtetutës, e cila siguron zgjedhje demokratike në përgjithësi dhe përcakton pozitën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si organ kryesor zgjedhor në Kosovë, rregulloret më të rëndësishme për financimin e partive politike dhe zgjedhjeve në Kosovë janë Ligji për Financimin e Partive Politike (LFPP) dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZGJ),

Edhe pse ato mbulojnë një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me financimin e partive politike dhe zgjedhjet, raporti e cilëson këtë legjislacion si shumë kontradiktor.

“Zbatimi i dispozitave është kryesisht joefektiv për shkak të këtyre kontradiktave dhe të mbikëqyrjes joefikase.”

Tutje, raporti thotë se të dy ligjet tentojnë të mbajnë normat e dënimit jashtëzakonisht të ulëta, dhe janë të formuluara në mënyrë të paqartë e në raste të caktuara, bien ndesh me njëri-tjetrin.

Një shembull i dhënë është që amendamentet e të dy ligjeve parashohin se shuma maksimale që partitë politike mund të gjobiten për shkeljen e dispozitave të këtyre ligjeve përkatëse është 50 mijë euro.

“Partitë politike zakonisht i paraqesin në kohë raportet e tyre financiare vjetore dhe zgjedhore. Kjo është e motivuar nga gjoba e mundshme, e cila mund të arrijë deri në 5 mijë euro, plus interesin ditor të shtuar prej 1%. Deri më sot, nuk ka pasur raste të raportuara në të cilat palët janë dënuar për paraqitje të deklaratave të pasakta” – thuhet në raport.

Ndërmarrjet shtetërore

Ndërmarrjet shtetërore, sipas raportit funksionojnë që disa kohë pa fitime, madje edhe me humbje.

“Si institucionet qendrore ashtu edhe ato komunale duket se kanë dështuar në kryerjen e detyrës së tyre për t’i shërbyer interesit publik si aksionarë të këtyre NSH-ve” – shkruan në këtë raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit është cituar në raport duke treguar se për vitin 2020 nga 14 ndërmarrje publike të audituara, 12 kanë marrë opinione negative sepse pasqyrat e tyre financiare nuk kanë dhënë një pamje të vërtetë dhe të drejtë të njësisë ekonomike dhe nuk ishin përpiluar në përputhje me rregullat e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit.

“Po të mos ishin ndihmat dhe subvencionet shtetërore, shumica e këtyre NSH-ve do të falimentonin.” – thuhet në mes tjerash në raport.

Shkaktar për këtë gjendje, sipas këtij raporti është mungesa e vullnetit politik për të menaxhuar në mënyrë adekuate këto subjekte. Rastet në të cilat individët përgjegjës janë mbajtur përgjegjës për keqmenaxhim, thuhet se janë të pakta.

Rasti i Telekomit të Kosovës

Një nga Ndërmarrjet Publike më të mëdha qendrore në Kosovë, i themeluar më 1999 është Telekomi i Kosovës.

Rasti i tij është shtjelluar në këtë raport, duke shpjeguar rrjedhën e rënies së gjendjes së tij.

“Telekomi, veçanërisht i njohur për operatorin e tij mobil, VALA, i cili ishte operatori i parë dhe më i madh mobil në Kosovë, me më shumë se 1.2 milionë klientë dhe duke qenë më i fuqishmi kontribuoi në buxhetin e vendit”

Sic thuhet në raport, nga 2008-ta deri në vitin 2015, buxheti i Kosovës ka përfituar mbi 250 milionë euro nga Telekomi i Kosovës.

Gjithnjë sipas raportit, rënia e tij filloi në vitin 2009, kur Telekomi nënshkroi një kontratë me kompaninë “Dardafon.Net LLC” për themelimin e operatorit virtual privat Z-Mobile.

“Me këtë kontratë, Z-Mobile-it iu garantua qasja në të gjitha objektet e Telekomit të Kosovës dhe iu dha qasja në 200 mijë numra celularë, duke i mundësuar që të konkurronte drejtpërdrejt me produktet e Telekomit të Kosovës.”

Në këmbim, Telekomi duhej të merrte 30% të përfitimit, ndërsa Z-Mobile do të merrte pjesën tjetër.

Pasi që Z-Mobile filloi të ofrojë pako më të avancuara dhe çmime më të lira se Telekomi, raporti thotë se ky i fundit filloi të humbasë pozitën e tij në vitin 2015 ndërsa Z-Mobile formohej fuqishëm dhe kishte fitime të konsiderueshme

Në rrjedhën e kësaj, për shkak se Telekomi kishte refuzuar kërkesën e Z-Mobile për numra dhe shërbime shtesë nga Telekomi, kompania “Dardafone.Net LLC” kishte paraqitur ankesë te tribunali i arbitrazhit, i cili vendosi në vitin 2016 që Telekomi duhet t’i paguajë Z-Mobile një gjobë prej rreth 30 milionë euro për humbjen e fitimeve.

“Në fillim të vitit 2019, pas një hetimi parlamentar, u konstatua se kontrata e nënshkruar ndërmjet Telekomit dhe Z-Mobile përmban kushte të pafavorshme. Në janar 2019, Telekomi i Kosovës vendosi të mos vazhdojë kontratën ekzistuese me Z-Mobile, e cila skadonte 30 korrik të atij viti. “Dardafone.Net LLC” iu përgjigj këtij vendimi duke e çuar edhe një herë në gjykatë Telekomin e Kosovës” – thuhet tutje.

Në të dyja rastet, vendimi i gjykatës ishte në favor të operatorit privat. Ky raport thotë se vlerësohet që gjatë periudhës dhjetëvjeçare të kësaj kontrate, 2009 – 2019, Telekomi ka humbur mbi 100 milionë euro të hyra.

“Përveç kësaj, Telekomi i Kosovës vuan nga keqmenaxhimi, emërimet politike, nepotizmi, pozitat e dyfishta, avancimet e parregullta dhe pagat në mënyrë disproporcionale të larta për një numër të madh të stafit. Megjithatë, sa i përket menaxhimit të brendshëm të Telekomit të Kosovës, situata është duke u përmirësuar që nga shkurti i vitit 2021” – thuhet në fund të shkrimit për Telekomin e Kosovës.

Në raport iu është folur edhe për prokurimin publik në vend, ku sipas gjetjeve, integriteti ka qenë i dobët.

Shtytësit kryesorë thuhet se kanë qenë faktorët politikë të cilët kanë përhapur praktika joformale në këtë sektor.

Metodologjia e këtij raporti ka qenë rishikimi i kornizave legjislative dhe raporteve mbi financimin politik në lidhje me partitë politike, zgjedhjet, ndërmarrjet shtetërore (publike) dhe prokurimet publike në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nga ekspertët kombëtarë.

Ky material është analizuar për pajtueshmërinë me standardet e procedurat evropiane relevante, duke përfshirë ato të Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Këshillit të Evropës.