Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Më Shumë të Hyra si President

Bazuar në deklarimin e pasurisë që e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) në fund të muajit mars, presidentit Hashim Thaçi pasuria i është shtuar për mbi 16 mijë euro krahasuar me atë të deklaruar vitin e kaluar.

Kështu, vlera e përgjithshme e pasurisë së presidentit Thaçi sipas formularit të plotësuar më 31 mars është 764,738 euro. Ndërsa, sipas deklarimit të pasurisë të bërë në tetor të 2015-ës, Thaçi kishte pasuri në vlerë 748,046 euro, ose 16,692 euro më pak.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë në AKK, pasuria e tërësishme e paluajtshme e Presidentit kap vlerën 697 mijë euro, vlerë e njëjtë me deklarimin e vitit 2015.

Ndërsa, për pasuri të luajtshme, Hashim Thaçi ka deklaruar se posedon veturë në vlerë  9 mijë euro, veturë e njëjtë sipas përshkrimit e një viti më parë, por në vlerë për 1 mijë euro më pak.

Njëjtë si Kryeministri Isa Mustafa edhe Presidenti ka deklaruar se ka më pak para të gatshme në institucionet financiare këtë vit.

Në AKK Thaçi ka deklaruar se posedon rreth 6,260 euro, për dallim nga deklarimi i vitit 2015, kur kishte rreth 8,850 euro.

Ndërkaq, të hyrat vjetore të Presidentit janë më të larta se në deklarimin e vitit paraprak.

Hashim Thaçi në formularin e deklarimit të pasurisë thotë se mandatin si President i Republikës së Kosovës, e ka filluar me 7 prill të këtij viti me dhënien e betimit në Kuvendin e Kosovës. Por, të hyrat vjetore të deklaruara janë nga paga e Presidencës.  Vlera e të hyrave vjetore të deklaruara si President janë rreth 34,478 euro.

Të ardhurat e tij të përgjithshme së bashku me të ardhurat e bashkëshortes shënojnë një rritje në krahasim me deklarimin e vitit paraprak. Sipas asaj që ka deklaruar Presidenti, të hyrat vjetore të tij dhe të bashkëshortes sivjet janë 52,478 euro.

Thaçi kishte deklaruar vitin e kaluar së bashku me bashkëshorten e tij 32,196 euro të ardhura vjetore.