H.R. McMaster - Foto: REL/AFP

McMaster: ShBA të Jetë e Përgatitur për Deatomizimin e Koresë Veriore

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster, thotë se Shtetet e Bashkuara “duhet të jenë të përgatitura, nëse është e domosdoshme, për ta detyruar Korenë Veriore që të deatomizohet”.

Këto komente të zyrtarit të lartë amerikan në intervistën për rrjetin BBC, që janë postuar sot në internet, paraqesin paralajmërimin më të ri se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta përdorin forcën në një pikë, për ta larguar kërcënimin nga programet raketore dhe atomike të Phenianit.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për zgjidhje paqësore në kontestin me Korenë Veriore, McMaster tha “ne jemi të përkushtuar për zgjidhje. Ne dëshirojmë që zgjidhja të jetë paqësore, por siç ka thënë presidenti, Donald Trump, të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Më tutje, ai theksoi se “ne duhet të jemi të përgatitur, nëse është e domosdoshme, për ta detyruar deatomizimin e Koresë Veriore pa bashkëpunim me këtë regjim”. (REL)