Pamje nga një seancë e gjykimit të Zeqirja Qazimit - Foto: KALLXO.com

Mbyllet Seanca në Gjyqin Ndaj Imamit Qazimi

Avokati i Zeqirja Qazimit, Murat Demolli, tha se nuk e kishte ditur se çfarë do të ndodhë në seancë dhe se dëshmitari i mbrojtur e zuri atë në befasi.

“Ne si mbrojtës nuk e kemi ditur dhe nuk kemi qenë të njoftuar paraprakisht se me çka do të zhvillohet kjo seancë, a do të thirren dëshmitarë të mbrojtur apo diçka tjetër. Ne jemi përgatitur për ekspertë, mirëpo kur erdhëm në seancë ishte një propozim i prokurorit”, tha Demolli.

Demolli tha se kjo mund të cenojë të drejtat e mbrojtjes.

“Në një aspekt e cenon, mirëpo ne ishim edhe ashtu të mbrojtur në çdo situatë që ndodhë, në çdo rast”, tha Demolli.

Avokatu tha se seanca e radhës është caktuar për më 28 prill dhe për të dëshmuar është caktuar një ekspert i Bashkësisë Islame të Kosovës.

11:31

Ndërkohë, nga seanca përveç publikut e mediave është përjashtuar edhe Policia. Në sallë janë lejuar vetëm gardianët, të cilëve u janë marrë telefonat.

Gjykata nuk ka dhënë asnjë arsyetim për këtë veprim të saj.

10:53

Për sot është paraparë seancë ku do të jepet fjala përfundimtare në rastin ndaj imamit të xhamisë “El-Kudus” të Gjilanit, Zeqirja Qazimi dhe gjashtë personave të tjerë.

Seanca nuk po mbahet në Ferizaj, ku është zhvilluar vazhdimisht, por në Prishtinë dhe për këtë ndryshim vendi nuk janë njoftuar mediat.

Zeqirja Qazimi dhe të tjerët akuzohen për vepra që lidhen me terrorizmin.

Në seancën që ka filluar në Pallatin e Drejtësisë do të dëshmojë një dëshmitar përmes video-linkut.

Trupi gjykues ka miratuar kërkesën e prokurorit që seanca të jetë e mbyllur për publikun, ndonëse kundër ishin avokatët mbrojtës.

“Nuk po e shoh te arsyeshme që seanca të mbyllet për publikun, pasi që seancat e tjera të gjitha kanë qenë të hapura”, tha avokati Muhamet Humolli duke folur edhe në emër të mbrojtësve të tjerë.

Zeqirja Qazimi po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rekrutim për terrorizëm. Së bashku me Qazimin në këtë rast po akuzohen edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/zeqirja-qazimi-flet-per-lavdrim-muhaxherin-e-ridvan-aqifin/

http://kallxo.com/deshmitari-ndryshon-deklaraten-e-tij-ne-gjykimin-e-zeqirja-qazimit/