Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

Mosfunksionimi i sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë, KGJK paralajmëron për mundësinë e ndërprerjes së punës nga gjykatat

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka paralajmëruar për mundësinë e ndërprerjes së punës së gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë.

Sipas një letre të hapur drejtuar kryeministrit Albin Kurti, zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, nga kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, për shkak të mosfunksionimit të sistemit të klimatizimit, gjyqtarët dhe i gjithë stafi po punojnë në kushte alarmante për punë.

KGJK në këtë letër përmend edhe faktin se kanë skaduar kontratat për “mirëmbajtjen e higjienës” dhe për “mirëmbajtjen teknike”.

Në këtë kontratën e fundit, sipas KGJK-së, përfshihej edhe klimatizimi dhe se menjëherë të nesërmen temperaturat në hapësirat në Pallat kanë shkuar deri në 35 gradë celsius “që është e papërballueshme dhe e dëmshme për shëndetin e punonjësve dhe palëve në procedurë“.

“Të gjendur në këtë situatë, Këshilli Gjyqësor në koordinim me Kryetarët e Gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është i detyruar që në takimin e paralajmëruar për datën 25 korrik 2023 të merr vendim për ndërprerjen e punës deri në përmirësimin e gjendjes teknike ose rënies së temperaturave” – thuhet në letrën e hapur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

KGJK kërkon nga zyrtarët qeveritarë të ndërmarrin masa të menjëhershme, në të kundërtën paralajmëron se do të dëmtohet një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore në zhvillim e sipër dhe rrjedhimisht, do të pamundësohet çdo shërbim për qytetarët.

Leter e Hapur – Pallati i Drejtesise