Pallati i Drejtësisë me reduktime të ujit të pijes, KRU Prishtina thotë se ka probleme teknike

Pallati i Drejtësisë që tre ditë është duke pasur reduktime të ujit të pijes.

Në lidhje me këtë, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujesjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, për KALLXO.com, ka thënë se ka probleme teknike.

Sipas saj, me kërkesë të departamentit të cilësisë së ujit, për shkak të problemeve teknike, është ulur sasia e ujit në trajtim nga ITUP Badovc, me qëllim të ruajtjes së cilësisë së ujit.

“Jemi duke punuar me 35 % të kapacitetit, andaj ulja e trajtimit do të ndikojë që zonat të cilat furnizohen nga Badovci do të afektohen me reduktime. Graçanica do reduktohet nga ora 22:00-5:00, zonat si Hajvalia, Mati, Bregu i Diellit do të kenë çrregullime në furnizim me ujë” – ka thënë Mjeku.

Sipas saj, aktualisht Pallati i Drejtësisë ka furnizim me ujë, ndërsa problemi pritet të rregullohet brenda pak ditëve.