Foto-ilustrim | KALLXO.com

Mbyllet Programi 6 Vjeçar për Reformë në Arsim

Projekti i implementuar në vitin 2010 ka qenë i shtrirë në 32 komuna dhe  600 shkolla të mesme të ulëta me fokus në përmirësim të mësimdhënies.

Arsim Bajrami, ministër i Arsimit vlerësoi këtë program si dëshmi për mundësitë reformuese dhe ndikimin e arsimit cilësor në shoqëri.

“Ky projekt ka treguar se reformimi në sistemin arsimor nuk është mision i pamundur, është i mundur nëse të gjithë u qasemi nxënësve me dashuri, përkushtim, me profesionalizëm dhe i bëjmë familjet e kënaqura që rrjedhimisht formon një shoqëri të përparuar,” deklaroi Bajrami.

Ndërkaq, James Hope, drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë tha se shpreson që ndikimi i kësaj reforme të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim.

“Ky është më shumë se vetëm prezantim i të arriturave në 6 vjetët e fundit, por tregon edhe shpresën që kjo reformë do të ketë ndikim për të paktën një dekadë në të ardhmen dhe gjenerata të tëra,” vlerësoi Hope.

Programi për arsim themelor ka mundësuar certifikimin e 432 drejtorëve të shkollave për menaxhimin e tyre, ndërsa mësimdhënësit janë certifikuar në kurse për kurrikulën e re.

Ministria e Arsimit kontribuoi financiarisht në projekt me 5 milionë euro, ndërsa USAID-i dhuroi kompjuterë dhe pako me material mbështetës në 520 shkolla.