Mbyllet Konferenca Diplomatike, pa Presidenten

E mban emrin e një kodre që i freskon pak mushkëritë e Prishtinës, por tradicionalisht mbahet në qendrën e qytetit të pluhurosur.

Pasi u mor me disa tema më lokale e rajonale, në ditën e dytë konferenca ndërkombëtare “Gërmia Hill” trajtoi tema me impakt global si luftimi I terrorizmit e radikalizmit, migrimi e konfliktet në Siri e Ukrainë.

Në ditën e parë, i pari i qeverisë Isa Mustafa kishte përsëritur synimin e Kosovës për anëtarësim në “Partneritetin për Paqe dhe integrimin në NATO”.

Të ndarë në gjashtë panele, të ftuarit, mes tyre edhe ministra folën për rolin e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë konferencë vend zunë edhe temat si rikthimi i gjeopolitikës dhe impakti i konflikteve në Siri e Ukrainë në Evropën juglindore dhe BE-në, migrimin ndërkombëtar,  ekstremizmi i dhunshëm dhe e ardhmja euroatlantike.

Në hapje të edicionit të tretë kryeministri Isa Mustafa tha që Kosova është e interesuar të japë kontributin e saj në temat globale.

“Kosova është vend stabil dhe vend i paqes. Kosova kurrë nuk ka qenë më e lidhur me familjen evropiane më shumë se sot. Kontribuuese e paqes dhe sigurisë në Ballkanin perëndimor”.

Sipas Mustafës çështja e migrimit “prek në rrënjë debatin politik në nivelin evropian”.

“Nga 13 mijë azilkërkues në shkurt të vitit të kaluar, në dhjetor ky numër bie në vetëm 5 perona”, tha ai duke mos harruar të përmend liberalizimin dhe shpresën që vendi të marrë dritën e gjelbër që qytetarët e saj të udhëtojnë lirshëm në zonën Shëngen.

Ai me shifra foli edhe për luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit.

“Nga 300 qytetarë tanë sa kanë qenë, ky numër ka ra në më pak se 70 vetë në Siri e Irak”, tha Mustafa.

E për situatën e sigurisë, kryeministri shembull mori incidentet ndëretnike kur  tha se vitin e kaluar nëKosovë ka pasur “vetëm 5 incidente ndëretnike”.

E për konfliktet në Siri e Ukrainë tha se sado që Kosova gjendet larg tyre gjeografikisht, implikimi i tyre ndihet edhe në Ballkan.

“Shumë sfida që kemi ndërlidhen me politikat globale. Edhe kjo konferencë është kontribut i yni që përmes diplomacisë te ofrojmë zgjidhje”, shtoi Mustafa.

Për rolin e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor folën edhe ministrat e kësaj pjese.

Dialogu në Bruksel e sheh si mesazh të reflektimit e bashkëpunimit për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, ministri i punëve të jashtme, Hashim Thaçi.

“Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia nuk duhet kuptuar vetëm si obligime të BE-së”, tha ai.

“Ekziston nevoja që të bashkëpunojmë në fushën e sigurisë, për rend e ligj, kundër korrupsionit e dukurive negative, por me theks te veçantë kundër radikalizmit e terrorizmit”, u shpreh shefi i diplomacisë së Kosovës.

Thaçi shtoi që Kosova do t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, por duke iu referuar asaj për Demarkacionin tha që ka pasur edhe vende që nuk e kanë ratifikuar, por kanë marrë liberalizimin.

“Na trajtoni njëjtë”, ishte kërkesa e tij.

Ministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Mimi Kokdheli nisi fjalimin e saj në shqip, edhe pse ishte supozuar të flasë në anglisht.

“Po flas shqip meqë jam në vendin tim”, tha ajo.

Kodheli tha që situata jo fort komode e sigurisë e bën këtë shqetësim të përbashkët mbarë botëror.

“Aspiratat e rruga që duhet ndjekur e është ndjekur është e njëjtë, vetëm se duhet të ecim bashkë”, u shpreh Kodheli.

Zëvendës ministri jashtëm i Hungarisë, Laszlo Szabo tha Hungria tha se Ballkani është I rëndësishëm për sigurinë e gjithë Evropës.

“Nuk mjafton të jemi krenar për të kaluarën, duhet të bëjmë shumë për të ardhmen”, tha Szabo.

Ai inkurajoi shtetet kandidate që të punojnë me shumë seriozitet, por inkurajoi dhe NATO-n e BE-në që  vlerësojnë progresin e këtyre vendeve.

Zëvendës Kryeministri i Maqedonisë Fatmir Besimi foli për sfidën më të madhe të Ballkanit.

“Imazhi i vendeve të rajonit është ballkanizimi, e kundërta e integrimit. Sfida jonë është si ballkanizimin ta shndërrojmë në evropianizim”, tha Besimi.

Për Ballkanin foli edhe Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq.

“Pa bashkëpunim të fortë të vendeve të Ballkanit perëndimor nuk mund të legjitimohemi si vende të forta. Kosova e ka përkrahjen e Malit të Zi drejt rrugës euroatlantike”, u shpreh ai.

Ndërsa ministri i brendshëm i Kosovës, Skender Hyseni, vuri theksin në luftën kundër terrorizmit.

Duke thënë se nuk ka pasur përpjekje për sulme terroriste në Manastirin e Deçanit, Hyseni shtoi se Kosova ia ka dalë ta vëjë nën kontroll çështjen e përfshirjes së qytetarëvetë vet në luftërat në Siri dhe Irak.

“Ne jemi ndoshta të vetmit në mesin e disa vendeve, që ka identifikuar secilin prej atyre, që kanë luftuar në Siri, ata që janë vrarë apo që janë rikthyer në Kosovë”, tha ministri Hyseni.

Zëvendës ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Jennifer Bachus foli për të ardhmen euro-atlantike.

“Është realitet, SHBA dhe Evropa kanë marrëdhënie të fortë. Bashkëpunimi euro-atlantik pjesë e përpjekjeve tona për t’i luftuar sulmet globale. Një prej prioriteteve tona është Evropa e bashkuar”, tha Bachus.

Në mbylljen e konferencës, e paraparë të bëhej nga presidentja Atifete Jahjaga, por pjesëmarrja e saj u anulua pak para përfundimit.

Konferencën e përmbylli Zëvendës Ministri i jashtëm Petrit Selimi i cili ftoi të gjithë për një fotografi të përbashkët.