Dushko Markoviq, kryeministër i Malit të Zi. Foto: Qeveria e Malit të Zi

Markoviq: Parlamenti i Malit të Zi nuk Zhbën Ratifikimet

Në një intervistë për RTK-në, Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq, duke folur për marrëveshjen e demarkacionit ka thënë se Parlamenti i kërij shteti asnjëherë nuk ka zhbërë ndonjë ratifikim, ose ligj të miratuar prej tij.

“Nuk ekziston rast i tillë kur Parlamenti i Malit të Zi e ka zhbërë një ratifikim, apo ndonjë ligj të vetin”, tha Markoviq.

Ai deklaroi se marrëveshja e demarkacionit është çështje e mbyllur për Malin e Zi.

“Nëse Haradinaj e hap temën e demarkacionit, Unë jam i gatshëm të flasim edhe për këtë temë. Demarkacioni është temë e kryer për Malin e Zi”, tha Markoviq.

Ai konstatoi se shteti i tij nuk ka marrë asnjë centimetër territor nga Kosova.

“Mali i Zi nuk ka marrë asnjë centimetër të tokës kosovare dhe kurrë nuk do të bëjë diçka të tillë. I kuptojmë vërejtjet e palës kosovare dhe kemi treguar shumë durim sa i përket kësaj”, tha Markoviq.

Ai bëri thirrje që edhe Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen.

“Mali i Zi e ka kryer punën e vet unë besoj që Kuvendi i Koosvës do ta bëjë këtë në të njëjtën mënyrë. Besoj që parlameti kosovar do ta ratifikojë marrëveshjen”, tha Markoviq.

Kryeministri i Malit të Zi do të vizitojë Kosovën të martën.