Bratislav Dikiq - Foto: Youtube screenshot

Mali i Zi Kap Grupin prej 20 Paramilitarësh Serbë

Pas lajmit për arrestimin e ish-komandantit të Xhandarmerisë Serbe, Bratislav Dikiq, të shtunën, prokuroria malazeze njoftoi sot se ka “dyshime të arsyeshme” se një organizatë kriminale është formuar në Serbi dhe Mal të Zi në fillim të tetorit me qëllim të ndikimit në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv të Malit të Zi.

Zyra e Prokurorisë dyshon se organizata ka planifikuar të sulmojë qytetarë dhe oficerë të policisë, të cilët do të grumbullohen para ndërtesës së Parlamentit pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të së dielës.

“Ne po ashtu dyshojmë se plani i kësaj organizate kriminale ishte privimi nga liria i kryeministrit të Malit të Zi (Milo Gjukanoviq)”, ka theksuar Zyra e Prokurorisë.

Pak orë më herët, Slavko Stojanoviq, drejtor i Policisë malazeze, ka konfirmuar se 20 shtetas të Serbisë janë arrestuar nën dyshimin për “terrorizëm” në prag të zgjedhjeve.

Mediat lokale njoftuan se ish-komandanti i Policisë së Serbisë, Bratislav Dikiq, ishte në mesin e grupit prej 20 paramilitarësh që kishin planifikuar “çrregullimin e zgjedhjeve të së dielës” në Mal të Zi.

Grupi thuhet të jetë kapur duke hyrë në territorin e Malit të Zi me një sasi të madhe armësh dhe municioni.