Në ditën e hapjes së kafenesë "X 21" | Foto: Facebook

Makiato dhe Ndihmë në Kafenenë ‘X 21’

Një filxhan kafe i  pirë në kafenenë “X 21” ndikon në marrjen e rrogës së punonjësve të tij.

Punonjësit e kësaj kafeneje, janë të prekur nga sindroma Down, ndërsa përmes ofrimit të makiatos dhe ëmbëlsirave dëshirojnë të jenë të barabartë me të tjerët dhe të jetojnë nga puna e tyre.

Hapja e kafenesë lindi si ide e Shoqatës Down Syndrome Kosova për mbështetjen dhe integrimin në shoqëri ndaj këtij komuniteti.

Bedri Hajdinit, 40 vjeçar, njërit nga punonjësit e kësaj kafeneje,  i duhen 40 minuta udhëtim  nga Mitrovica në Prishtinë, por kjo nuk e pengon për ta kryer punën.

“Jam shumë i lumtur për  punën time, çdo herë do të jem në shërbim të klientëve të mi. Dua që klientët të jetë të kënaqur me shërbimin tim në mënyrë që të kem mbështetjen e tyre”, ka thënë Hajdini për KALLXO.com.

Hajdini që është kamerier në “X 21”, tregon se trajnimet profesionale e kanë ndihmuar të bëhet një profesionist në punën që bën aktualisht.

Rroga e Bedri Hajdinit dhe punonjësve tjerë varet nga ata që vijnë në kafene dhe porosisin makiato, ose ëmbëlsira, pasi Shoqata Down Syndrome Kosova nuk mund t’u sigurojë atyre paga fikse.

Sebahate Hajdini-Beqiri, drejtoreshë ekzekutive e Down Syndrome Kosova, njëherësh iniciatore e hapjes së kafenesë, kërkon  mbështetjen nga institucionet dhe qytetarët për integrimin e personave me sindromën Down, veçanërisht në fuqinë punëtore.

“DSK ka hartuar ligjin e ri për të siguruar të drejta të barabarta ndaj personave me sindromën Down që nga shtatori i vitit të kaluar. Ky ligj pritet të prezantohet në prill të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës. Tendenca e mbështetjes të kësaj iniciative për momentin është kohore, kërkojmë  mbështetje afatgjate ndaj iniciativave të tilla. Qëllimi ynë është përmes punës së tregut të ofrojmë  shërbime ndaj klientëve në mënyrë që të përfitojmë kontakte të drejt për drejta me kontribut dhënësit – personat e vullnetit të mirë”, ka thënë Beqiri.

Në kafenenë “X 21” punojnë 18 persona me sindromën Down. Rreth 900 persona me këtë sindromë jetojnë në Kosovë dhe shpesh përballen me diskriminimin dhe përjashtimin social.

Kafeneja  gjendet në Rrugën  “Kosta Novakoviq” dhe është e hapur prej orës 8:00 deri në orën 18:00.