Foto: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Kurti zotohet për fuqizimin e personave me sindromën Down

Sot, në Ditën Botërore të sindromës Down, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, vizituan qendrën e Down Syndrome Kosova.

Drejtoresha ekzekutive e qendrës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri tha se pret përkrahje dhe mbështetje në punën e tyre për shkak se mirëqenia e personave me Sindromën Down është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithëve.

Gjatë vizitë, Kurti theksoi se do të punojnë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me Sindromën Down dhe prindërit e tyre.

“Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë”, tha ai.

Bashkë me Kurtin dhe Osmanin, në vizitë ishin edhe deputetet e legjislaturës së re, Arbërie Nagavci, Jeta Statovci dhe aktivistja politike që për shumë vite është angazhuar në përmirësimin e jetës së grupeve të cenueshme të shoqërisë, themeluesja e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Leonora Bajraktari-Shabani.