Oda Ekonomike e Kosovës përkrah shoqatën Down Syndrome Kosova

Oda Ekonomike e Kosovës në gala natën që organizon për vlerësimin e sektorit privat, do ta përkrahë edhe shoqatën Down Syndrome Kosova, nëpërmjet mjeteve që sigurohen me hyrje me pagesë dhe me kontributin e bizneseve private.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Odës Ekonomike Berat Rukiqi, nëpërmjet një konference për shtyp.

‘’ Është gala natë prej Odës Ekonomike që ka për synim, vlerësimin e sektorit privat dhe kompanive që kontribojnë, qoftë në tatime, qoftë në punësim dhe eksport. Ne këtë vit do ta ndryshojmë natyrën e kësaj ngjarje, në një organizim të përbashkët me Down Syndrom Kosova, do ta kemi një dedikim për personat dhe anëtar të kësaj organizate. Mjetet do ta kenë dedikimin e veçantë në shërbime të organizatës. Në ditët në vijim do të shpalosen detajet, por kryesisht do të tentohet që të jetë një e hyrë nga biletat që do të jenë për darkën dhe pastaj do të ketë edhe kontribute të veçanta nga bizneset, varësisht nga mundësitë që kanë’’, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa Sebahate Beqiri drejtoreshë e shoqatës Down Syndrome Kosova, ka falënderuar Odën Ekonomike për përkrahje dhe ka folur për punën që bën kjo shoqatë.

‘’ Shprehim mirënjohje dhe falënderime për Odën Ekonomike të Kosovës, institucion që në vazhdimësi ka treguar përgjegjësi sociale dhe në këtë rast kemi ngjarjen e radhës, ku mjetet do të dedikohen për kauzën e shoqatës Down Syndrom Kosova. Ne besojmë në potencialin e personave me sindromën down dhe deri tash kemi dëshmuar që ky komunitet ka shumë vlera të mëdha, gjithashtu tashmë ne jemi identifikuar dhe si shoqatë, që brenda shoqatës kemi produktet tona që kjo iniciativë përveç që do të ndihmojë shoqatën  në aspektin financiar do të na ndihmojë që të na lidhë me bizneset që produktet tona siç janë mjalta, xhemi, qirinjtë, kartolinat të kenë një mbështetje më të madhe në tregun kosovar’’, ka thënë Beqiri.

Ngjarja do të mbahet me 18 dhjetor në Prishtinë, ku do të jenë të pranishëm biznese dhe kompani private vendore.