Limaj: Të gjithë na kërkojnë pezullimin e taksës

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj pas takimit me zyrtarin e Qeverisë Britanike, Richard Moore, tha se ky i fundit ka kërkuar që të pezullohet taksa ndaj Serbisë.

“Britania inkurajon dhe mbështet përpjekjet për dialog dhe që Kosova të jetë pjesë e bisedimeve me qëllim që të arrihet marrëveshja. Të gjithë që vijnë kërkojnë në mënyrë diplomatike të largohen pengesat dhe të vazhdohet dialogu, në këtë mënyrë të pezullohet taksa. Ne mundohemi që t’iu shpjegojmë që kushtëzimet nuk janë të mira në dialog. Qëndrimi i të gjithë miqve është që të gjendet rrugë për t’i dhënë mundësi dialogut dhe këtë vazhdimisht na e kanë thënë në Prishtinë e Bruksel”, tha Limaj në një konferencë për media.

Ai po ashtu foli edhe për takimin e “pa njoftuar” në Bruksel, ditë më parë.

“Takimet në Bruksel janë para përgatitjes së dialogut. Takimet tona në Bruksel do të ndodhin shpesh, merrni të zakonshme. Janë takime të rregullta ku ne lëmë tema të hapura për të biseduar”, tha Limaj.