Kurti për skemën e re sociale: Po merr fund padrejtësia e diskriminimi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka quajtur fund të padrejtësisë dhe diskriminimit skemën e re të asistencës sociale.

Sipas tij, me anë të kësaj skeme do ketë më shumë barazi e nxitje të punësimit, zhvillim ekonomik e shpërndarje të barabartë.

“Po merr fund padrejtësia e diskriminimi që ka ekzistuar nga dizajnimi i mëparshëm i kësaj skeme, i cili ka qenë i tillë që nga viti 2007, duke mos përjashtuar më nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç”- është shprehur Kurti.

Kurti theksoi se përmes skemës së re, secila familje e cila ka të ardhura më të ulëta se 100 euro për anëtar për muaj, mund të qaset në e-Kosova dhe të aplikojë për t’u bërë pjesë e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale.

“Ndërkohë punësimin në anën tjetër, e rrisim përmes mekanizmave të posaçëm dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës. Kjo skemë e reformuar, do jetë më në fund e qytetarëve, për qytetarët”- ka shtuar Kurti.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se sot fillon pilotimi për reformën e skemës së asistencës sociale në Kosovë e cila, sipas njoftimit, heq diskriminimin që ekziston me skemën aktuale, duke mos përjashtuar nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin në anën tjetër përmes mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës.

Linku për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/518

Ndryshimi në skemën sociale, ministri Murati fton familjet në nevojë për aplikim