Fatmir LImaj| Foto: ZKM

Limaj: Përparësi Punësimi Familjet me Anëtarë të Papunë

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se në vitin e ardhshëm përparësi punësimi do të kenë anëtarët e familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.

“Janë me mijëra familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe ne duam ta ndërlidhim ndërmarrjen tonë me agjencinë e punësimit dhe t’i lidhim ndërmarrësit tanë me shkollat tona profesionale dhe kjo garanton apo siguron mundësi tjetër për punësim edhe zhvillim ekonomik të vendit. Koha është të ndryshohet gjendja”, tha Limaj.

Zëvendëskryeministri mori pjesë në në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, LImaj tha se qëllimi i marrëveshjes është “bashkërendimi i aktiviteteve të ministrive ku në epiqendër është punësimi i njerëzve, e sidomos atyre familjeve të cilat nuk e kanë asnjë anëtarë të punësuar”.

Limaj konstatoi se në Kosovë ka shumë të papunë, ndërsa ndërmarrjet kosovare kanë nevojë për punëtorë.

“Sot në vendin tonë ka njerëz që kanë shumë nevojë për punë. Po ashtu në vendin tonë ka shumë biznese që kanë nevojë për punëtorë, dhe paradoksi është që kemi shumë të papunë dhe ndërmarrje që nuk kanë fuqi punëtore për të kryer aktivitetet”, tha Limaj.

Ai bëri të ditur se kjo gjë duhet të marrë fund.

“Ky fenomen duhet të marrë fund. Sot ekonomia e tregut kërkon fuqi punëtore profesionale, e cila është e gatshme të futet në linjë të prodhimit dhe ta rritë produktivitetin në ndërmarrjet e tyre. Është koha që agjencitë përkatëse t’i bashkërendojnë politikat”, tha Limaj.

Ai deklaroi më tutje se fuqia punëtore kosovare duhet të profesionalizohet.

“Nëse të gjithë së bashku fokusohemi mirë dhe i kryejmë detyrat tona, jam i bindur që në tregun e Kosovës do të ketë fuqi punëtore të profesionalizuar dhe që i përmbush nevojat e kërkesat e prodhuesve vendorë”, tha Limaj.

Punësimi i një anëtari të familjeve që nuk kanë të punësuar ishte premtim i Nismës për Kosovën.