Gjykimi i Limajt dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com
Limaj ka Dyshime Rreth Ekspertizës së SMS-ve
Mbrojtja e të akuzuarve të Limajt dhe të tjerëve kanë kërkuar nga prokuroria që të vërtetohet se a është përpiluar nga ndonjë ekspert ndërkombëtar raporti i ekspertëve rreth SMS-ve dhe komunikimeve të rastit MTPT.
Limaj i quajti këto prova të prokurorisë-SMS-të dhe komunikimet si “zemra e rastit”, andaj sipas tij duhet të dihet se a janë përpiluar nga ndonjë ekspert.
“Po flasim për një provë shumë të rëndësishme të cilën mund ta quajmë “zemrën e rastit”. Është normale të gjejmë ndonjë provë gjatë procedurës, por po flasim për një çështje që është thelbi i aktakuzës. Sepse për këtë jemi që 7-8 vjet këtu”, tha Limaj.
Sipas mbrojtjes, raporti në fjalë është i printuar në programin “Word” dhe nuk është as i vulosur, andaj ballafaqimi i dëshmitarit me këto SMS e përgjime të komunikimeve është i pamundur.
“Ky dokument nuk paraqet kurrgjë, nuk është zyrtar”, tha Limaj.
Prokurori Charles Hardaway tha se kjo shkresë i është dërguar nga paraardhësit e tij të cilët janë marrë me rastin.
Ndërkaq, në raport thuhet se prokurori ka angazhuar një ekspert ndërkombëtar për t’i analizuar SMS-të dhe komunikimet.
“Kam angazhuar një ekspert ndërkombëtar për t’i analizuar SMS-të dhe komunikimet”, ka shkruar prokurori në letrën e besimit.
Andaj, Limaj kërkoi ta dijë identitetin e personit ndërkombëtar, raportin nga eksperti dhe përvojën profesionale të të njëjtit.
Lidhur me këtë çështje, Hardaway bëri të ditur se do të kontaktojë me paraardhësit e tij me shpresën se do të marrë përgjigje në ditët në vijim.
Si rezultat, seanca u ndërpre me kërkesë të mbrojtjes.
Dëshmitari Ali Aliu i cili gjendej në gjykatë, në pritje për të dëshmuar, do të dëshmojë më 16 maj.
Në këtë proces, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.
Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.
Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.
Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.
Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.