Liderët politik të Luginës ankohen për gjendjen atje

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi gjatë takimit me përfaqësuesit politikë të Luginës e Preshevës, ka diskutuar për gjendjen e shqiptareve në Luginë.

Në takime të ndara, Krasniqi në Kuvendin e Kosovës ka pritur kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, si dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, të shoqëruar nga nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani dhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani.

Përmes një komunikate të PDK-së, është bërë e ditur se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë shprehur kërkesat e tyre për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ata përballen në vazhdimësi.

“Ata theksuan se situata në Luginë është e rëndë dhe se qytetarët përballen me vështirësi të shumta. Përfaqësuesit e Luginës vlerësuan lartë faktin që Kosova po e diskuton me prioritet gjendjen e tyre dhe gatishmërinë që çështja e shqiptarëve në Luginë të jetë një prej temave qendrore në Bruksel në dialogun Kosovë – Serbi”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“Krasniqi konfirmoi mbështetjen e PDK-së për kërkesat legjitime të tyre dhe theksoi se Kuvendi i Kosovës e ka obligim që ta marrë vendime për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi dhe në këtë diskutim ta përfshijë edhe çështjen e Luginës së Preshevës. Kjo, tha ai, mund të bëhet edhe përmes një rezolute që merr parasysh vullnetin e qytetarëve të Luginës e që do të duhej të përkrahet nga të gjitha subjektet politike parlamentare në Kosovë”, njofton PDK-së.

Krasniqi dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës u pajtuan që të jenë në komunikim të vazhdueshëm për adresimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë në Luginë.