Isa Mustafa dhe Kadri Veseli | Foto nga Kuvendi i Kosovës

LDK Do Reduktim të Ministrive, PDK Nuk Di ‘Asgjë’

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka mbajtur dje një mbledhje të jashtëzakonshme, gjatë të cilës përveç çështjes së demarkacionit me Malin e Zi është diskutuar edhe për kabinetin qeveritar, konkretisht për vlerësimin e punës së ministrave.

Pas këtij takimi, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, kishte deklaruar se janë disa ministri që do të bëhen bashkë.

“Janë disa ministri që ndoshta duhet të bëhen bashkë“, ka thënë ministri Abrashi, duke paralajmëruar një takim të ngjashëm “kah fundi i javës”.

http://kallxo.com/demarkacioni-mbledh-urgjent-kryesine-e-ldk-se/

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, tha sot për KALLXO.com se janë vetëm në fillim dhe se nuk është biseduar për ndonjë ministri konkrete që do të shkrihet.

Po ashtu, Rugova theksoi se këtë çështje ende nuk e kanë diskutuar konkretisht me partneret e koalicionit.

“Sigurisht ne do të diskutojmë edhe me partnerët e koalicionit rreth këtyre ndryshimeve. Ideja është të zvogëlohet numri i ministrive. Tash të shohim nëse PDK-ja do të pajtohet ekzakt”, tha në mes tjerash Rugova.

Ndërsa nënkryetari tjetër i kësaj partie, Lutfi Haziri, në një prononcim për KALLXO.com tha se ideja për t’u zvogëluar numri i ministrive është projekt i mëhershëm për Projektligjin për Qeverinë.

Sipas tij, ideja e këtij projekti është që të zvogëlohet numri i anëtarëve në kabinetin qeveritar dhe secili të ketë detyrat e ndara.

“Edhe stafi politik i nënshtrohet asaj shkrirjes që do të bëhet. Nuk do të duhej që askush jashtë konkursit të bëhet pjesëtar i stafit të shërbyesve civilë”, tha kryetari i Gjilanit.

Kurse, Faton Abdullahu, këshilltar i Kryeministrit Mustafa, tha për KALLXO.com se njëra nga arsyet e reduktimit të ministrive është edhe ulja e shpenzimeve nga më të ndryshmet.

Edhe Abdullahu thotë se ky reduktim duhet të bëhet në bashkëpunim me partnerët e koalicionit.

Në anën tjetër, edhe partneri i koalicionit, PDK-ja, është duke debatuar rreth çështjes së reduktimit të kabinetit qeveritar.

“Në Partinë Demokratike të Kosovës ka një debat që Qeveria është e madhe, që duhet të zvogëlohet, që duhet të ketë ndryshime tjera në Qeveri dhe që ta kemi një kabinet më funksional”, ka thënë dje Enver Hoxhaj, zëvendëskryetari i PDK-së.

Mirëpo, sekretari i kësaj partie, Basri Musmurati, e mohon që të PDK-të jetë diskutuar çështja e reduktimit të kabinetit qeveritar.

“Këto janë veç fjalë. Na as që e kemi diskutu këtë çështje në Parti. Kurgjo s’ka deri tash. Nuk kam çka shtoj ma shumë”, ka thënë sot Musmurati për KALLXO.com.

Ndërsa, në kohën kur Hashim Thaçi liroi pozitën e ministrit të Jashtëm dhe të zëvendëskryeministrit pasi u zgjodh President i vendit, LDK-ja nuk ishte e interesuar për riformatizim të gjerë të Qeverisë. Ajo synonte vetëm plotësimin e vendeve që mbetën të zbrazëta pas largimit të Thaçit.

http://kallxo.com/ldk-se-nuk-pelqen-ideja-e-kadri-veselit/