Agim Gashi (në mes), shef i grupit të asamblistëve të LDK-së në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

LDK në Prishtinë Kritikon Komunën për Mungesë të Shkollave

LDK në Prishtinë vlerëson se qasja e udhëheqësisë komunale ndaj arsimit, e ka dëmtuar rëndë këtë fushë.

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka akuzuar Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti se nuk ka filluar ndërtimin e asnjë objekti shkollor në tri vitet e fundit në kryeqytet.

“Mungesa e objekteve shkollore në Kalabri, Vetërrnik, Mat, Sofali dhe Arbëri, te Përroi i Njelmët dhe në lagje të tjera të kryeqytetit ka shkaktuar rritjen e numrit të nxënësve në SHFMU “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemaili”, “Faik Konica”, “Meto Bajraktari”, “Dardania” dhe disa institucione tjera të këtij niveli shkollor”, thonë ata.

Përveç kësaj LDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se po bën punësime partiake në arsim që nga ardhja në pushtet e këtij subjekti në Komunën e Prishtinës.

“Shkollat e Prishtinës janë shndërruar në institucione ku punësohen militantët e VV-së, ku po bëhen spastrime politike dhe po zgjedhen drejtorë të anëtarësuar në VV, ose janë në lidhje të ngushta me rrjetin e militantëve të VV-së, ku punësohen mësimdhënës, kryesisht nga Gjakova dhe komuna tjera anembanë Kosovës si anëtarë të VV-së e më së paku të Prishtinës”, akuzon LDK.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zyrtarë të Komunës së Prishtinës të cilët nuk kanë komentuar këtë deklaratw të LDK-së.