Lavdia e Përbuzur

Qindra memoriale kanë zënë vend në Kosovën e pasluftës në shenjë nderimi për dëshmorët dhe viktimat civile të rëna në luftën e viteve 1998- 1999 në Kosovë por 17 vjet më pas, shumë prej tyre kanë mbetur në harresë nga institucionet dhe në proces të shkatërrimit.

Pllaka të thyera, shkronja të emrave të dëshmorëve të hequra nga pllakat aq sa nuk mund të dallohet identiteti i të rënëve, mungesë rrethojash dhe papastërti.

Të gjitha këto shihen pothuaj ngado ku janë vendosur varrezat e lapidarët e pasluftës.

Në Grabanicë të Klinës, Rexhep Mërturi, baba i një dëshmori, thotë se varrezat e dëshmorëve janë “jodinjitoze”.

Në qendër të Pejës, pllakës përkujtimore ku janë të shënuar emrat e dëshmorëve të kësaj komune, një pjesë e madhe e emrave janë të palexueshëm.

Pllaka përkujtimore me emrat e palexueshëm të dëshmorëve në Pejë. Foto: Kallxo.com
Pllaka përkujtimore me emrat e palexueshëm të dëshmorëve në Pejë. Foto: Kallxo.com

Një mysafir që vjen për herë të parë në Pejë, e që nuk ka njohuri për luftën e Kosovës nuk do të mund ta njohë as bustin e njërit ndër dëshmorëve më të njohur të luftës së UÇK-së, Shkelzen Haradinaj pasi që disa shkronja i janë hequr nga mbiemri i gravuar në pllakën poshte bustit të tij që i bën rojë qendrës së qytetit.

Në pjesën tjetër të Kosovës, në Cernicë të Gjilanit, lapidari që kujton dy dëshmorët këtij fshati të rënë gjatë luftimeve në betejën e Koshares, Urim Mehmeti e Arben Jusufi, është në gjendje të mjerë.

Pak vjet pas luftës, banorët e këtij fshati kishin mbledhur paratë vetë për ta bërë këtë lapidar në një vend të dukshëm në hyrje të fshatit.

Institucionet lokale janë në dijeni për gjendjen e mjerushme të lapidarit.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Gjilan, Hasan Hoxha, tha për KALLXO.com se sa i takon kësaj piramide mbipesha e saj dhe vjetërsia e saj e ka bërë që të dëmtohet. Por ai thotë se rivitalizimi i saj është në plan.

Gjendje e mjerë mbretëron edhe në varrezat ku prehen trupat e njërës nga masakrat më të mëdha të luftës në Kosovë, atë të Mejës afër Gjakovës.

http://kallxo.com/memorialet-e-gjakoves-te-harruara-nga-pushtetaret/

Në Prishtinë, qeveria e Kosovës ka themeluar vite më parë një agjensi e cila përkujdesret për mirëmbajtjen e memorialeve.

Por drejtuesit të këtij agjensioni i ka mbetur vetëm të ankohet.

Arsye është buxheti i vogël.

Kur Idriz Blakaj ka dalë dy muaj më parë para Komisionit për Planifikim Hapësinor për ta dhënë raportin vjetor të Agjensisë për Mbrojtjen e Monumenteve, ai dha alarmin se Kompleksi Memorial i Jasharajve në Prekaz, monumenti më i njohur i luftës për lirinë e Kosovës, rrezikon të mbetet pa rrymë.

http://kallxo.com/kompleksi-jasharajve-ne-prekaz-rrezikon-te-mbetet-pa-rryme/

Ndërsa në një intervistë për KALLXO.com, gjendjen te ky kompleks, Blakaj e tregon edhe më alarmante.

“Kullat që janë në Prekaz janë para shkatërrimit. Sipas projektit që e kanë bërë sllovenët, konservimi i tyre kushton rreth 5 milionë euro e të mos flas për amfiteatrin që kushton rreth 10 milion euro”, thotë Blakaj.

Shumë gjashtëfish më e madhe, sipas tij, nevojitet për kompleksin përkujtimor në Kleçkë.

Sipas tij, janë edhe shumë komplekse të tjera gjithandej Kosovës për të cilat është e pamundur të mirëmbahen pa staf dhe buxhet, ndërsa u jep të drejtë të gjithë atyre që ankohen për gjendjen e këtyre memorialeve.

“Familjarët e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta me plot të drejtë ankohen sepse gjendja e memorialeve me të vërtetë është tepër shqetësuese”, thotë Blakaj.

Idriz Blakaj- Drejtor i AMKMK-së 03:41-03:50

Blakaj thotë se komunat mund t’u dalin në ndihmë por, sipas tij, faji mbetet te institucionet qendrore që nuk po ndajnë buxhet të mjaftueshëm për këtë Agjenci.

Sipas Blakajt, agjensia e tij parashihet t’i ketë 52 punëtorë, por i ka vetëm 11.

Në situatë të tillë, keqardhja është ngushëllimi i vetëm i njeriut që menaxhon memorialet për të mos lejuar që të barishtet të mos mbijnë në vendet ku duhet të përkulen të gjallët që e gëzojnë lirinë.

Ndër ta edhe përgjegjësit të cilin kompleksin meëmorial të dëshmorëve të Kaçanikut, e lanë në harresë, me arkivole të hapura, mbeturina të grumbulluara, ndriçim të prishur dhe pllakat e betonit të dëmtuara rëndë.

http://kallxo.com/arkivole-te-hapura-ne-varrezat-e-deshmoreve-ne-kacanik/

“Gjithë familjarëve të dëshmorëve dhe shoqatave të dala nga lufta mundem me iu kërku falje edhe pse nuk e ndiej veten fajtor sepse vazhdimisht po bëjmë kërkesa të arsyeshme te institucionet”, thotë ai.

Ndërsa nga takimet me këta familjarë thotë se ndanë një përvojë të keqe.

“Është një fatkeqësi e madhe që kur takoj familjarët e dëshmorëve një pjesë e tyre janë aq të zhgënjyer sa ju dhimbsen familjarët e tyre që kanë vdekë për këtë vend edhe pse menjëherë pas luftës kanë qenë shumë krenar për vdekjen dhe sakrificën e tyre”, thotë Idriz Blakaj.

Artikullit i kontribuan edhe Liridon Rama, Shkodran Nikçi e Adelina Ahmeti