Lagjja e Harruar e Fshatit të Kaçanikut

Përveç problemeve me varfërinë dhe papunësinë, banorëve të mbi 40 shtëpive të lagjes Kuqishtë të fshatit Begracë të Kaçanikut jeta u rëndohet edhe nga mungesa e infrastrukturës rrugore.

Për shkak të mosrregullimit të rrugës ata shpesh mbeten të izoluar. Sidomos gjatë stinës së dimrit dhe reshjeve, kur rruga që lidh këtë lagje me pjesën tjetër të fshatit bëhet pothuajse e pakalueshme.

Diamant Luzha, banor i kësaj lagjeje, problemin e rrugës e identifikon si kryesorin me të cilin banorët përballen.

“Kur bie shi apo borë bëhet shumë lloç dhe s’kanë ku të ecin nxënësit këtu, as i madhi as nxanësi”, tregon problemin Luzha.

Luzha thotë se për shkak të mungesës së rrugës dhe largësisë së shërbimeve publike, disa familje janë shpërngulur nga fshati.

“Kanë ikur se rruga pa shtru, është popullsi e madhe, ku me shku te mjeku këtu, ku me shku nxanësi në shkollë këtu, nesër nëse sëmuret një plak ku me çu nga nga këtu”, tha Luzha.

Luzha tregon se shkollën dhe ambulancën e kanë larg 3 kilometra dhe se për të shkuar në to duhet ecur nëpër një rrugë malore dhe shumë të vështirë.

[interaction id=”5700e76d82287b5830df40f8″]

Edhe banori tjetër i kësaj lagjeje, Fadil Luzha, rrugën e vlerëson si problemin kryesor të Kuqishtës. Ai thotë se në vazhdimësi kanë pasur premtime se kjo rrugë do të asfaltohet por se kjo nuk ka ndodhur.

“Problemi kryesor është kjo rrugë. Kryetari ka premtuar vjet se do ta shtrojnë asfalt, por nuk e kanë shtruar. Sivjet na sollën nja katër kamionë gurë dhe p’e shihni edhe vet si është gjendja. Jemi 40 shtëpi në këtë lagje. Marri për Komunën e Kaçanikut se çfarë janë duke bërë me këtë lagje”, thotë Fadili.

Premtime për shtrimin e rrugës Fadili thotë se kanë pasur edhe nga kryetari i kaluar.

Ndonëse e falënderon kryetarin aktual për gurët e shtruar, Fadil Luzha thotë se banorët e lagjes dëshirojnë asfaltimin e rrugës.

“Premtime ka boll. Kur ka qenë kryetar Xhabir Zharku ia pat nisë por e la në gjysmë. Po faleminderit Besim Ilazit na ka ndihmua sa me kalu disi këtë rrugë. Por shekulli 21 dhe ne po dëshirojmë asfalt. Jemi 40 shtëpi dhe s’ka se kur të pritet më”, thotë ai.

Në Komunën e Kaçanikut, ndërkaq, thonë se vullneti për shtrimin e kësaj rruge nuk ka munguar, por çështja është te mjetet financiare.

Nga Zyra për Informim e Komunës thanë se kanë bërë kërkesë në nivelin qendror për mbështetje financiare por se nuk kanë marrë përgjigje.

“Në pamundësi buxhetore, Komuna e Kaçanikut ka bërë kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për asfaltimin e kësaj rruge. Projekti ka kosto mbi 700 mijë euro. Ne ende nuk kemi marre ndonjë përgjigje konkrete ne këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Kaçanikut.

Në përgjigjen e dërguar për KALLXO.com, Komuna konfirmoi se ka angazhuar kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve për të filluar rehabilitimin e këtyre rrugëve lokale me shtresë zhavorri në fshatin Begracë në rrugët “Ilir Lakrori” si dhe në lagjen Kuqishtë.

KALLXO.com është interesuar të kuptojë nëse niveli qendror do t’i ndihmojë Komunës së Kaçanikut për asfaltimin e kësaj rruge. Mirëpo, Ministria e Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje ndonëse pyetjet i janë dërguar një javë më parë.