Kuvendi në pauzë deri në ora 15:00

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.

Kështu deklaroi nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, për shkak të mungesës së kuorumit.

“Ne po marrim një pauzë deri në ora 3 pastaj në qoftë se ka kuorum mirë, nëse jo, pushojmë. S’ka kuorum çka me bo”, tha Haliti.

Kuvendi aktualisht ka mbetur te pika 3 e seancës së 12 prillit 2019, Votimi i Propozim – Rezolutës nga Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, në lidhje me mosekzekutimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në rend dite janë edhe këto pika:

Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës,

Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-“KOSTT” Sh.A,

Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e anëtarëve të këtij Komisioni.

Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e zëvendëskryetarit të dytë në Komisionin Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe benificioneve nga sigurimi social dhe propozimet e grupeve parlamentare të PSD-së dhe LVV-së zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare.