Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton raportin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 56 për, 1 kundër , 7 abstenime  kanë votuar raportin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2017.

Deputetët thanë se kjo agjenci ka sfidat e saj në sigurim të buxhetit, sigurimin e objektit dhe mbështetjen e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se agjencia  ka disa sfida dhe të arritura.

“Ka shumë sfida që ballafaqohet kjo agjenci por sfidë kryesore mbetet buxheti për ti siguruar mbrojtje penale qytetarëve. Zyra çdo vit kërkon ti sigurohet një objekt për shkak se janë me qira dhe po ashtu kërkon ta ketë buxhet”, tha Beqa.

Deputeti tjetër i PDK-së, Nezir Çoçaj tha se Qeveria e Kosovës duhet të shqyrtojë mundësin për hapjen e zyrave mobile të Agjencisë për ndihmë juridike falas në tërë territorin e Kosovës.

Ndërsa deputeti nga LVV, Sami Kurteshi tha se kjo agjenci është kryesore për ndihmë juridike sidomos qytetarëve në gjendjen jo të mirë ekonomike që nuk janë në gjendje të mbrojnë të drejtën e tyre.

“ Lënia anash e agjencisë nga Qeveria dhe Kuvendi është pasqyra e drejtë e qasjes që kanë institucionet tona ndaj njerëzve që janë në gjendje të rendë”, tha Kurteshi.