Kundërshtohet Aktakuza në Gjykimin e Ish-Kryetarit

Në këtë proces gjyqësor ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013 kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë në kohën kur Obiliqin e drejtonte  Krasniqi.

Krasniqi tha për KALLXO.com se e ka respektuar ligjin dhe aktakuza ndaj tij është e pabazuar.

“Mund të them se procesi është në tërësi sa i përket çështjes që lidhet me mua është i pabazuar në aspektin ligjor nuk ka asnjë fakt të vetëm që  inkriminohem  dhe nëse duhet me dëshmuar këtë simbolikisht në fakt, unë akuzohem pse e kam respektuar ligjin, jo pse nuk e kam respektuar ligjin. Është absurde dhe paradoksale por është kështu,” tha Krasniqi.

Ai u shfaq i bindur se do të shpallet i pafajshëm.

“Unë jam shumë i sigurt dhe i bindur dhe i besoj fuqishëm gjykatës që do të nxjerrë vendimin e vetëm që është pafajësia jonë e plotë, ndërkaq unë jam i bindur që në mandatin tonë në tërësi e kam zbatuar ligjin dhe kjo do të dëshmohet në këtë gjykim,” tha Krasniqi.

Gjatë seancës avokatëe Mehmet Krasniqit dhe Haki Raqit Mentor Neziri e Nikë Shala, paraqitën kundërshtimet e aktakuzës, ndërsa të akuzuarit Xhavit Krasniqi, Sami Kadriu, Nazmi Gashi, Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Bujar Alidema, Hasie Dushi, Azem Spanca dhe Altin Preniqi paraqitën vetë këto kundërshtime, pasi nuk kishin avokatë.

Prokurori special i propozoi gjykatës që kundërshtimet e të akuzuarve të hudhen poshtë si të pabazuara.

Në seancën e kaluar vetëm Basri Kqiku pranoi fajësinë për mashtrim, ndërsa 13 të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm. Kqiku edhe kërkoi falje për gabimin e bërë, ndërsa gjyqtarja kërkoi që ai dhe mbrojtësi i tij të mos jenë të pranishëm në gjykatë deri në dhënien e fjalës përfundimtare.

Rrjedhën e seancës së djeshme e tregoi për KALLXO.com edhe Mentor Neziri, avokati i Mehmet Krasniqit.

“Sot është mbajtur seanca e dytë në të cilën seancë ne kemi kundërshtuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale edhe sa i përket gjendjes faktike, mirëpo edhe sa i përket kualifikimit ligjor duke konsideruar se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme dhe prova tjera formale me të cilat me të vërtëtë do të mund të arsyetonte gjendjen faktike që e ka paraqitur në aktakuzë,” tha Neziri.

Avokati Skender Musa, mbrojtës i Shpend Kelmendit, tha se pret që aktakuza të hedhet poshtë nëse ka një proces të drejtë.

“Nëse kemi një proces të drejtë gjyqësor ne presim sa i përket të mbrojturit tim të hidhet poshtë akuza për shkak se ky si punëtor teknik, mund të them edhe fizik nuk ka pasur kompetenca ta implementojë  kontratën apo aneks-kontratën,” tha Musa.

Edhe avokati Nikë Shala mbrojtës i Haki Raqit tha se klienti i tij detyrat e punës i ka zbatuar në bazë të ligjit dhe se aktakuza është e bazuar në supozime dhe pret që aktakuza të hedhet poshtë.

“Konsideroj se aktakuza nga ana e prokurorisë ndaj klientit tim është e bazuar në supozime, ngase siç rezulton edhe nga shkresat e lëndës klienti im detyrat e tij të punës i ka ushtruar në kuadër të ligjit dhe nuk ka pasur ndonjë dobi pasurore. Mendoj se aktakuza është e bazuar në supozime dhe shpresoj që gjykata pasi t’i analizojë kundërshtimet e mia do ta hedh aktakuzën,” tha Shala.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Përveç ish-kryetarit Krasniqi, edhe Haki Raqi, Xhavit Krasniqi dhe Nazmi Gashi akuzohen se kanë kryer nga dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi nga prokuroria akuzohen se kanë kryer secili veç e veç veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emri Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin dhe Basri Kqikun,ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.