Fejzulla Hasani (në mes). Foto: Kallxo.com

Kryetari i Supremes Flet për Dënimet e Ulëta

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, tha se në gjykatat e Kosovës, nuk ka një unifikim apo përafrim të dënimeve të shqiptuara në rastet e rënda, por përjashtoi mundësinë që të bëhet një unifikim strikt i tyre.

Mospërputhja e dënimeve nga gjykata në gjykatë në Kosovë ka qenë një nga kritikat e raportit të BIRN dhe Interneës Kosova të monitorimit të sistemit të drejtësisë për vitin 2015.

“Është e vërtetë se kemi shpërputhje të dënimeve”, tha Hasani gjatë debatit të mbajtur në publikimin e raportit të monitorimit.

“Rolin dominant për unifikimin e dënimeve e ka Gjykata e Apelit. Nuk ka formulë unike që dënimet të jenë të njëjta. Janë kritere të ndryshme, por duhet të ketë njëfarë unifikimi të përafërt në mënyrë që të mos jenë absurde”, tha ai.

Ai e pranoi se dënimet që gjykatat e Kosovës i shqiptojnë në rastet e armëmbajtjes dhe korrupsionit janë të ulëta.