Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

Rinis beteja gjyqësore mes ish-bashkëshortëve për ndarjen e pasurisë

N. A. nga Prishtina, të martën ka rinisur betejën e saj gjyqësore me ish-bashkëshortin e saj B. A., për ndarjen e pasurisë së krijuar gjatë kohës sa ata kishin qenë të martuar.

Ata kishin qenë në bashkësi martesore që nga viti 1996 deri në vitin 2016, e paditësja po kërkon ½ e pjesës së disa paluajtshmërive që sipas saj janë kontribut i përbashkët gjatë jetës bashkëshortore.

Padia shpjegon se si dy ish-bashkëshortët gjatë jetës së tyre bashkëshortore afërsisht 20-vjeçare kanë realizuar të hyra të përbashkëta kryesisht në blerjen e parcelave, banesave, bizneseve, etj.

Në seancën e së martës, ish-bashkëshortja kërkoi të ftohen ekspertë të ndërtimtarisë e financiarë për të vlerësuar vlerën e këtyre parcelave dhe paluajtshmërive tjera.

Paditësja kërkoi nga gjyqtarja Ujëvesë Hysenaj, që këtyre paluajtshmërive t`u caktohet edhe një masë e sigurisë për ndalimin e tjetërsimit të tyre nga ish-bashkëshorti i saj.

Përveç ekspertëve, u propozua të dëgjohen edhe dëshmitarë nga ana e ish bashkëshortit, të propozuar nga përfaqësuesi i të paditurit.

Lidhur me këto propozime pritet të vendosë gjykatësja Ujëvesë Hysenaj.

Padia specifikon se si ish-bashkëshortët kanë investuar edhe në dy lokale të tjera që gjenden në Prishtinë, njëri në sipërfaqe prej 28 metra katrorë, kurse tjetri prej 25 metra katrorë, që sipas paditëses edhe kjo pasuri është krijuar në kohën kur bashkëshortët kanë kontribuar bashkërisht në krijimin e pasurisë familjare.

Ky rast kishte marrë përgjigje edhe nga instancat më të larta gjyqësore të vendit, e rasti aktualisht është në procedurë rivendosjeje.

Rrugëtimi ligjor i këtij rasti deri në  Gjykatën Kushtetuese

Padia për herë të parë ishte ushtruar në korrik të vitit 2017, pas 4 vitesh kishte marrë përgjigjen e parë nga Gjykata Themelore.

Kjo gjykatë pjesërisht kishte aprovuar padinë e ish-bashkëshortes për paluajtshmëritë në dispozitivin I, II, dhe III, kurse për paluajtshmërinë sipas dispozitivit të pikës IV ia kishte refuzuar kërkesëpadinë.

Një paluajtshmëri tjetër sipas pikës V, kjo gjykatë ishte shpallur jokompetente në bazë territoriale ngase kjo paluajtshmëri është jashtë vendit.

Për punët e amvisërisë, gjykata ia kishte njohur kontributin që nga 1 qershori i vitit 1996 e deri më 31 dhjetor të vitit 2007, në vlerë prej 20 mijë e 700 qind euro.

Gjykata e Apelit me gjyqtarët Ardian Ajvazi, Lumni Sallauka, Hunaida Pasuli, e kishte prishur këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje, për të rishqyrtuar të gjitha paluajtshmëritë përveç pjesës së pikës III, e cila kishte të bënte me punët e amvisërisë.

Këtë pjesë, Apeli e kishte vërtetuar.

Pretendimi i paditëses është se kontributi i saj për punët e amvisërisë ka vazhduar edhe pas kohës që ka vendosur gjykata, deri në kohën që ish-bashkëshortët janë shkurorëzuar më 16 tetor të vitit 2017.

Për këtë, ajo i ishte drejtuar edhe Gjykatës Supreme, me pretendimin se dy instancat (Themelorja dhe Apeli) nuk e kishin vlerësuar drejt kontributin e saj në punët e amvisërisë dhe procesi ishte përcjellë me shkelje procedurale e materiale.

Gjykata Supreme e kishte refuzuar revizionin (mjet ankese në Gjykatë Supreme) e paditëses si të pabazuar, me gjyqtarët Muhamet Rexha – kryesues, dhe anëtarët Nenad Laziq dhe Beshir Islami.

Pas refuzimit nga Supremja, paditësja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke thënë se i janë cenuar parimet themeltare kushtetuese, dhe atë Neni 54 të Ligjit për Familjen, cenimi i nenit 31 “E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm” të Kushtetutës së Kosovës, dhe cenimi i nenit 46 – “Mbrojtja e Pronës”, po ashtu nga Kushtetuta e Kosovës.

Kushtetuesja ende nuk ka vendosur lidhur me këtë kërkesë.