Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Krizat e jetëgjata dhe qeveritë jetëshkurta të Kosovës

Në raportin “Demokracia e Kosovës në rrezik?” të publikuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) thuhet se njëri prej kërcënimeve më serioze për konsolidimin demokratik të Kosovës është kriza institucionale.

Sipas raportit paraliza të cilës iu nënshtrua politika kosovare si në vitin 2014 ashtu edhe në vitin 2017 duket si kërcënim më serioz për konsolidimin demokratik të Kosovës sesa kohëzgjatja e qeverisë ose paqëndrueshmëria zgjedhore.

Në vitin 2014 janë dashur gjashtë mua pas zgjedhjeve për të prodhuar një qeveri të re. E njëjta situatë është përsëritur edhe në vitin 2017, kur Kosova kaloi tre muaj pa një qeveri.

Të dhënat e paraqitura në raport tregojnë se proceset e formimit të qeverisë kanë marrë 28 ditë në Evropën Perëndimore dhe 29 ditë në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Formimi i qeverisë ka marrë më së shumti kohë në Holandë, 90 ditë; në Austri, 75 ditë; në Itali, 42 ditë. Kurse sipas të dhënave më së shumti kohë ka marrë krijimi i qeverisë në një rast tjetër në Holandë, 220 ditë.

“Në rastin e Kosovës, pa dyshim, pasiguria dhe marrëdhëniet e reja të forcës politike të krijuar pas zgjedhjeve krijojnë një mjedis të favorshëm për periudha të zgjatura të pazareve/negociatave”, thuhet në raport.

Analisti Arben Qirezi tha se të gjitha krizat dhe vonesat e krijimit të qeverive vijnë si rezultat i sistemit të keq politik.

“Sipas studimeve partitë politike nuk janë të profilizuar në pikëpamje ideologjike. Sistemi zgjedhor nuk i ka krijuar parakushtet që partitë të kenë një profil ideologjik politik. Gara zgjedhore në Kosovë nuk bëhet në bazë të diferencave ideologjike por në bazë të segmentimit social, regjional, klientelizmit”, ka thënë Qirezi.

Kurse analisti dhe Drejtori Ekzekutiv i Grupit të Kërkimit të Politikave të Ballkanit, Naim Rashiti tha se Kosova nuk do të ecë përpara, nuk ka me qenë pjesë e BE së dhe nuk ka me bo reforma pa pasur transformim politik paraprak.

“Një komponentë që ka munguar për me thellu krizën është degradimi i zgjedhjeve. Nëse do të kishin degraduar zgjedhjet tani do të kishim folur për një krizë më të thellë. Pse të shkoj Kuvendi në zgjedhje sa herë që bie qeveria, sa herë që dëshirojnë një apo dy persona, kjo e defunksionalizon Kuvendin. Në çdo zgjedhje negocohet për kuvendin, qeverinë dhe presidentin, kjo është e tmerrshme”, ka potencuar Rashiti.

Ky raport ka në fokus paqëndrueshmërinë e sistemit partiak, kohëzgjatjen e qeverisë dhe krizën institucionale në Kosovë.

Sipas raportit as kohëzgjatja jetëshkurtër e qeverive, e as rritja e paqëndrueshmërisë politike nuk paraqesin kërcënime të rënda ndaj demokratizimit të Kosovës.

“Qeveritë jetë-shkurta janë normë në sistemet parlamentare. Në të njëjtën kohë, paqëndrueshmëria politike në Kosovë nuk është e re. Paqëndrueshmëria ka qenë e pranishme në vitin 2007, kur skena partiake në Kosovë u ribë me kolapsin e bazës së mbështetjes së LDK-së pas vdekjes së Rugovës. Paqëndrueshmëria  u kthye në vitin 2017, me rritjen e LV-së dhe performancën gjithnjë e më të përkeqësuar elektorale të PDK-së”, thuhet në raport.

Kohëzgjatja e qeverisë

Asnjëra nga qeveritë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 nuk e ka përfunduar mandatin e plotë prej 4 viteve siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

“Duke pasur parasysh strukturën parlamentare të sistemit demokratik ë Kosovës, përdorimi i sistemit zgjedhor proporcional dhe një sistemi partiak që ka pësuar paqëndrueshmëri relative që nga pavarësia, ekzistenca e qeverive jetëshkurtëra nuk është një zhvillim i habitshëm”, potencohet në raportin e realizuar nga D4D.

Në raport janë bërë krahasime për jetëgjatësinë e qeverive në Kosovë me ato të vendeve me demokraci të konsoliduar dhe në tranzicion në Evropën Perëndimore, Lindore dhe Qendrore.

“Qeveritë e kaluara të Kosovës kanë pasur mandate më të gjata se qeveritë mesatare në të dyja llojet e vendeve të Evropës, si ato të konsoliduara ashtu edhe ato në tranzicion”, thuhet në raport.

Përderisa në Itali kohëzgjatja e qeverive është 251 ditë, në Austri është 800 ditë, në Letoni 330 ditë, në Rumani 269 ditë, në Hungari 1095 ditë, në Slloveni 603 ditë.

Sa i përket Kosovës, qeveria Thaçi I (2008-2011) ka zgjatur 1141 ditë, qeveria Thaçi II (2011-2014) ka pasur një jetëgjatësi prej 1387 ditëve kurse qeveria Mustafa (2011-2014) ka zgjatur plot 1006 ditë.

“Kur mesatarja e Evropës Perëndimore prej 636.7 ditësh dhe mesatarja më e shkurtër prej 582.5 krahasohet me kohëzgjatjen mesatare të qeverive të Kosovës (që nga vitit 2008) që kanë zgjatur 1.178 ditë, del se qeveritë e Kosovës janë mjaft jetëgjata”, thekson raporti.

Paqëndrueshmëria zgjedhore

Sipas raportit “Demokracia e Kosovës në rrezik?” shkaqet që qëndrojnë pas paqëndrueshmërisë zgjedhore kanë qenë unike për transformimet në sistemin politik të Kosovës që nga vitit 2000 dhe pas pavarësisë.

“Hidhërimi më i madh erdhi pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në vitin 2006.Mes viteve 2004 dhe 2007, pjesa e votave të LDK-së ra me mbi 20 pikë përqindje”, potencon raporti.

Po ashtu është përmendur surpriza e rezultatit të LV-së në vitin 2011 dhe konfirmimin e tyre në vitin 2014.

“Kjo rënie ishte më dramatike në vitin 2017, ku PDK dhe LDK humbën pjesë të konsiderueshme të votave, dhe LV-ja gati dyfishoi pjesën e votave të saj”, thuhet në raportin e D4D.

Sipas raportit demokracitë e reja zakonisht përballen me nivele të larta të paqëndrueshmërisë dhe se sistemet partiake priren të jenë më pak të qëndrueshme.

Njëri prej rekomandimeve kryesore të raportit është që partitë politike të Kosovës duhet të ndryshojnë nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës, i cili lejon që një parti që nuk e ka shumicën ta kontrollojë dhe potencialisht ta bllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve.