Ilustrim

D4D: Mediat kosovare përkthejnë lajme nga Serbia, pa i verifikuar

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka lansuar sot dy raporte lidhur me monitorimin e mediave online dhe atyre sociale për të identifikuar lajmet të cilat përmbajnë çrregullime të informacionit.

Sipas drejtoreshës së këtij instituti, Rezarta Delibashzade- Krasniqi, mediat online të cilat janë monitoruar gjatë kësaj periudhe janë gjithsej mbi 100 media online vendore, të rajonit dhe ndërkombëtare, ndërsa monitorimi dhe analizimi i artikujve me çrregullim informacioni është bërë në gjuhën shqipe dhe në atë serbe.

Sipas këtij Instituti shqetësuese mbetet përkthimi i lajmeve nga mediat kosovare, të publikuara nga mediat në Serbi, pa u bërë verifikimi i tyre e që sipas tyre kjo është një trend në rritje.

“Në mostrën e gjuhës serbe vazhdon ende narrativa e njëjtë. E kemi vërejtur se kryesisht janë të ndërtuar për figurat publike në Kosovë, për personat zyrtar, me të cilën gjithashtu shpërndajnë një numër i madh i mediave në Serbi, e të cilat përkthehen pastaj në gjuhën shqipe dhe shpërndahen në portale të ndryshme pa u bërë verifikimi i tyre”- tha Rrezarta Delibashzade- Krasniqi nga ky institut.

Ndërkaq, sa i përket çrregullimeve të informacionit, artikujt të cilët janë analizuar janë ndarë në disa kategori, duke përfshirë: zhvillimet në veri të vendit, dialogun Kosovë-Serbi, gjuha e urrejtjes, dhuna ndaj grave, ndasitë politike dhe ndikimi ndërkombëtarë.

Në muajin shtator, përmbajtjet me çrregullim të informacionit në fokus kishin ngjarjet e 24 shtatorit, ku siç shpjegon Venera Gashi nga ky Institut, disa nga artikujt janë falsifikuar apo keqinterpretuar informatat nga figura të politikës serbe.

Për muajin tetor, sipas këtij raporti, përmbajtjet deepfake kishin qenë më të pranishme në portalet online përmes videove të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

E në mostrën në gjuhën serbe sipas D4D vazhdojnë ende narrativat e rrejshme kundër figurave politike në Kosovë, e të cilat sipas gjetjeve të këtij raporti barten nga persona të sferës politike në Serbi.

Edhe keqinterpretimi i informacionit, siç ishte fjalimi i Presidentit të Francës Emanuel Macron, ishte një prej lajmeve më të shikuara gjatë këtij muaji.

Tutje, çrregullimet më të mëdha të informacionit sipas tyre, ishin prezent gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.

Sipas D4D, çrregullimet dhe keqinformimet e informacioneve ishin prezente edhe gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ku dominuan mizogjinia dhe gjuha nxitëse ndaj grave në Kosovë, kërcënimet online si dhe propaganda dhe informatat e paverfikuara.

Këto raporte janë përgatitur nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të projektit “Mbulueshmëria dhe kuptueshmëria e çrregullimit të informacionit në Kosovë”.