Çka zgjidh marrëveshja e marsit mes Kosovës e Serbisë?

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Kërkimor për Politikat në Ballkan (BPRG), marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë e ka quajtur marrëveshje mes armiqsh.

“Po të ishte marrëveshje mes miqsh do ta vlerësoja me më shumë kurajo edhe nganjëherë kur s’janë këto marrëveshje edhe aq të mira do mes miqsh i vlerësojmë si të mira për shkak të miqësisë” – ka thënë ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Rashiti ka shtuar se me marrëveshjen e marsit pritet që të zgjidhet çështja e veriut, të zgjidhen problemet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë dhe të vendoset një marrëdhënie normale mes këtyre dy vendeve.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, do të takohen gjatë këtij muaji në Maqedoni të Veriut për të përafruar qëndrimet rreth Planit franko-gjerman, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ky takim vjen pas atij që patën në fund të shkurtit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.