Hulumtimi i D4D: Dhuna në internet dhe mizogjinia ndaj grave, ndër temat më të përhapura në media online gjatë korrikut

Instituti “Demokracia për Zhvillim” (D4D) ka publikuar të dhënat nga monitorimi i çrregullimeve të informacionit në mediat online dhe sociale gjatë muajve korrik dhe gusht.

Gjatë këtyre dy muajve, ky institut kishte bërë monitorimin e mediave online dhe rrjeteve sociale në Kosovë dhe kanë analizuar 1500 artikuj me përmbajtje të çrregullimeve të informacionit në gjuhën shqipe dhe po ashtu në atë serbe.

Mirëpo temat me çrregullime informacioni që kanë dominuar më shumë, sipas D4D janë: tensionet në komunat me shumicë serbe, publikimi i audio-incizimeve të deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe përleshja e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ndër gjetjet kryesore të hulumtimit të publikuar në këtë konferencë, del se dhuna në internet dhe mizogjinia ndaj grave, ishin ndër temat më të përhapura në media gjatë muajit korrik.

Hulumtimi i këtij instituti thotë se artikujt me përmbajtje të çrregullimeve të informacionit që nxisin tensione politike dhe konflikt ndër-etnik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin gjithashtu prezent gjatë korrikut të këtij viti.

Edhe përmbajtjet deepfake sipas tyre, kishin prezencë të theksuar në media.

Ndërkaq për muajin gusht, sipas drejtoreshës së këtij instituti, Rrezarta Krasniqi thotë se për të është shqetësuese se artikujt në gjuhën serbe kanë tendencë që të dezinformojnë se Qeveria e Kosovës dëshiron të bëj ndarje të komunitetit serb në Kosovë.

“Për zhvillimet në veri ka pasur çrregullim të informacionit në 50 artikuj…”, ka thënë Krasniqi.

Pajtim Gashi nga organizata NDI thotë se njerëzit duhet të dinë të bëjnë dallimin mes mediave.

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të bëjnë dallimin mes një media reale dhe fiktive” – është shprehur ai.

Për Naile Demën, anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), edukimi medial në këtë kohë të çrregullimit të informacioneve nga mediat online dhe ato sociale është i nevojshëm.

“Ambienti mediatik nuk është mjedisi më i mirë që ne si punonjës e kishim dashur. Këtë po e bëjnë mediat sociale dhe disa portale të cilat krijojnë informata jo të sakta. Bëjnë manipulimin e opinionit publik, edukimi medial është jetik për ne si shoqëri” – ka thënë Dema.

Lidhur me këtë, Pajtim Gashi nga NDI është shprehur se muajve në vijim, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të punojnë që edukimi medial të jetë lëndë në shkolla, veçanërisht për gjuhën e urrejtjes ndaj grave, e cila sipas tij është e përhapur më shumë në media.