Mbledhja e KQZ-së. Foto: Kallxo.com

KQZ Vendosi Afatet për Drenasin, Kritikohet Valdete Daka

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi për afatet dhe shumë çështje të tjera rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit që do të mbahen më 4 dhjetor.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë mungoi kryesuesja Valdete Daka e cila ishte e ftuar në takimin e thirrur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për të diskutuar reformën zgjedhore.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi konsideroi si të panevojshëm pjesëmarrjen e Kryetares së KQZ-së  në takimin që, sipas tij, ka karakter politik.

“Reforma zgjedhore siç është prezantuar është komplet çështje politike dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë roli merr KQZ –ja si institucion kushtetues i paanshëm. Duhet të ruajmë integritetin e KQZ-së dhe të mos përfshihemi në fragmentarizime politike”, tha Rrustemi.

Por, Sami Hamiti, anëtar nga LDK,  që kryesoi mbledhjen e KQZ-së vlerësoi se ftesa e Presidentit është legjitime sepse ai ka bërë emërimin e Dakës.

Për zgjedhjet në Drenas që do të mbahen më 4 dhjetor u vendos që të ketë një fushatë zgjedhore prej 5 ditëshe, nga data 28 nëntor deri më 2 dhjetor.

KQZ për këto votime miratoi buxhetin prej 338, 420 euro, me mbi 268 mijë në raundin e parë dhe mbi 69 mijë në të dytin.

Mirëpo, Enes Halimi, Kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së  shprehu shqetësim rreth mënyrës së furnizimit me material zgjedhor që duhet të bëhet me procedurë negocimi me operatorët ekonomikë.

“Jemi në hall të madh, nuk mund t’i sigurojmë materialet nëse duam t’i zbatojmë praktikat dhe parimet e rregullatorit që e kemi në fuqi”, tha Halimi.

Për këtë çështje,  anëtarët e komisionit të KQZ-së bënë thirrje që të ketë interesim të opinionit në mënyrën se si do të shkojnë procedurat.

Zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit po mbahen pas dorëheqjes së Nexhat demakut, të cilit Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim me burg në akuzat për krime të luftës.

Në takimin e sotëm të thirrur nga Presidenti, kishte refuzuar të marrë pjesë opozita.

http://kallxo.com/opozita-thote-jo-fteses-se-presidentit/