Kosova përmirëson renditjen në Indeksin e Lirisë së Shtypit

Kosova është ngjitur në 4 vende më lartë në vlerësimin global të lirisë së shtypit të publikuar të mërkurën nga organizata Reporterët pa Kufij, RSF.

Niveli i lirisë së medias në Kosovë u rendit i 78-ti nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së mediave për vitin 2018 të kësaj organizate, një përmirësim prej katër vendesh që nga viti 2017.

Megjithatë, Reporterët pa Kufij, një OJQ ndërkombëtare që punon për të mobilizuar mbështetjen dhe lirinë e medias dhe për të sfiduar qeveritë dhe legjislacionin që e shtypin atë, nuk ka dhënë një reflektim tërësisht pozitiv mbi përparimin e lirisë së shtypit në Kosovë.

“Mediat e Kosovës vuajnë nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe indirekte politike, presioni financiar dhe pronësia tepër e përqendruar”, tha analiza, këtë vit me titull “Urrejtja kundër gazetarisë kërcënon demokracitë”.

Raporti përmendi disa përmirësime në marrëdhëniet midis mediave dhe qeverisë së re të formuar në shtator 2017, duke theksuar se “qeveria aktuale megjithatë duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi, në dallim nga dy qeveritë e mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog.”

Pavarësisht nga kjo, analiza kritikoi deklaratat e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj pas zgjedhjes së tij në këtë pozitë, se gazetarët në Kosovë duhej “të shkonin në shkollë” apo “të mësonin si të lexonin si duhet në anglisht”, pasuar nga refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth përfshirjes së SHBA-ve në marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Këto deklarata u shpallën si “ofensive ndaj gazetarëve” nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK, i cili në një deklaratë i kërkoi Haradinajt “të bashkëpunojë me gazetarët dhe të punojë intensivisht drejt rritjes së transparencës dhe bashkëpunimit qeveritar me mediat”.

Në maj 2017, AGK, në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, mbajtën një protestë për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, duke bërë fushatë kundër përhapjes së censurës së shtypit në favor të përmirësimit të të drejtave të punës për mediat e Kosovës.

Më tej, raporti i RSF dënoi sulmet e bëra kundër gazetarëve hulumtues, Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri, kryeredaktor dhe drejtor i platformës multimediale Insajderi, duke deklaruar se kritikat ndaj qeverisë dhe aleatëve të saj të ngushtë ishin nxitje të sulmeve.

Renditja e përmirësuar e Kosovës shoqërohet me një rënie të përgjithshme të lirisë së shtypit në Europë në tërësi në vitin 2018, ku kontinenti po e shikon si një përkeqësim të dukshëm të sigurisë së gazetarëve në vitit të kaluar.

Në Ballkan, Shqipëria ra një vend më poshtë, në vendin e 75-të, ku raporti dënon vërejtjet shqetësuese ndaj gazetarëve nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Renditja e Serbisë nga Indeksi, ballafaqohet me rënien më të madhe në rajon, duke u zhvendosur për 10 vende më poshtë, në vendin e 76-të.

“Situata në Serbi është keqësuar më shumë që kur Kryeministri Aleksandar Vuçiq u zgjodh president në vitin 2017,” tha raporti. “Ai përdor mediat pro-qeveritare për të frikësuar gazetarët, të cilët akuzohen për “tradhtinë” dhe “të qenit spiunë me pagë të huaj.”