Kosova Përgatit Strategjinë Kundër Dhunës në Familje

Në mbledhjen e komisionit, zëvendësministri i Drejtësisë dhe koordinatori nacional kundër dhunës në familje  Lirak Çelaj tha se strategjia kundër dhunës në familje 2016-2020 është në përfundim.

Ai foli edhe për 16 ditët e fushatës vetëdijesuese kundër dhunës ndaj gruas që shpresoi se do ta ndryshojnë mentalitetin e një pjese të popullsisë

“Sipas një raporti që e ka bërë rrjeti i grave, del që dikund 21 për qind e popullsisë, shumë prej tyre gra, e arsyetojnë dhunën si mjet disiplinor në familje. Pra kjo tregon se një e pesta e popullatës e sheh këtë punë si normale dhe zhvillim të rëndomtë,” tha Çelaj.

Ndërkaq, Basri Kastrati, menaxher për mbrojtje dhe ndihmë viktimave në Zyrën e Prokurorit të Shtetit tregoi se që nga viti 2003 numri i rasteve të dhunës në familje është duke u rritur.

“Në vitin 2014 kanë qenë 1161 raste të zyrës sonë në total që kemi asistu, ndërsa prej tyre 887 raste të dhunës në familje. Pra, nëse e shohim si statistikë, vërtet është në rritje, por ndoshta kemi ngritje të vetëdijes dhe besimi tek institucionet, por edhe një lajmërim më të madh të rasteve,” tha Kastrati.

16 Ditët e aktiviteteve kundër dhunës ndaj grave nisën më 25 nëntor.

Gjatë këtyre ditëve më së shumti u fol për Zejnepe Bytyqi-Berishën nga Suhareka që vdiq më 23 tetor pas dhunës së përjetuar nga burri i saj. Ish-bashkëshorti e kishte vrarë edhe Diana Kastratin në vitin 2011.

Një tryezë kundër kësaj dhune u mbajt edhe në vendlindjen e Zejnepe Bytyqi-Berishës nga e cila doli se në Suharekë kishte edeh raste të tjera të dhunës në familje.

Më 16 tetor, “Drejtësia në Kosovës” shfaqi një emision për dhunën e ushtruar ndaj një gruaje nga bashkëshorti i saj.