Korab Sejdiu (Deputet). Foto: Atdhe Mulla

Korab Sejdiu kërkon koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së

Deputeti i LDK-së, Korab Sejdiu, thotë se kjo Qeveri do të duhej të binte për një milion arsye të tjera, përveç arsyes për të cilën ra sot.

Sipas tij, asnjë shqiptar nuk mund t’i gëzohet ftesave për dikë nga Gjykata Speciale.

“Kjo Gjykatë është rrënjësisht e padrejtë – por është një realitet i pakthyeshëm të cilin e krijuam edhe ne dhe me të cilin realitet tani duhet të përpjekemi denjësisht. Ish-KM Ramush Haradinaj i uroj sukses në ballafaqim me këtë padrejtësi. Lufta e popullit të Kosovës është dëshmuar dhe do të dëshmohet sërish se ka qenë e drejtë dhe e pastër”, ka shkruar ai.

Ky deputet thotë se opsioni i vetëm që mbetet legjitim në rrethanat e krijuara, është shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti i vendit.

Andaj edhe siç theksoi Sejdiu, opozita duhet t’ia bëjë këtë shumë të qartë Thaçit.

“Çfarë do tentative nga Presidenti për të shfrytëzuar këtë vakum për të krijuar ndonjë qeveri frankenshtajne apo për t’u rikthyer si vendimmarrës në dialogun me Serbinë duhet të kundërshtohet ashpër nga të gjithë, por veçanërisht nga LDK dhe VV. Heshtja në këto rrethana do të nënkuptonte aprovim i një shkeljeje të tillë serioze të Kushtetutës!”, shtoi deputeti.

Ai tutje ka propozuar krijimin e menjëhershëm të koalicionit parazgjedhor në mes të LDK-së dhe VV-së.

“Ky bllok politik do të garantonte ndër të tjera një shumicë stabile shqiptare në Kuvend, themelimin e shpejtë të qeverisë së ardhshme, si dhe shpëtim për Kosovën nga errësira në të cilën gjendet aktualisht. Çdo opcion tjetër krijon rrethana të cilat janë ambient i përshtatshëm për vazhdim të gjendjes aktuale, vonesa, bllokada, pazare, e veprime të tjera të dëmshme për vendin dhe qytetarët.”, shtoi Sejdiu.

 

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

 

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/

.