Albulena Haxhiu, VV

Haxhiu: Dorëheqja e Haradinajt ishte fillim i fushatës zgjedhore

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nuk ishte ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Dorëheqja e Haradinajt ishte fillim i fushatës zgjedhore. Haradinaj atë ditë tha se do të shkojë ta mbrojë Kosovën dhe luftën e drejtë të UÇK-së. Në fakt shkoi atje për asgjë. Shkoi dhe tha se qëndrova i heshtur sepse kështu më sugjeruan juristët që i ka pasur aty”, tha deputetja.

Sipas Haxhiut, në anën tjetër PDK-ja është shprehur se nuk ka qenë e gatshme për zgjedhje, pasi sipas saj tashmë ka rrezik që në zgjedhje të dalë e katërta.

“Pastaj dolën kinse për tu dukur për mbledhje të kryesisë, që kishte për qëllim shpërndarjen e Kuvendit. As sot nuk mund të them që janë ndal angazhimet kundër shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ajo, në debatin “Talk The Talk”, me temë “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, organizuar nga Departamenti i programeve të Universitetit të Londrës me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science në Kolegjin Riinvest.

Haxhiu shtoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, zgjidhje janë zgjedhjet.