Arben Gashi (LDK). Foto: Kallxo.com

Arben Gashi i LDK-së: Zgjedhjet me 22 ose 29 shtator

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë sot se situata pulitke në vend ka marr formë, drejt zgjedhjeve të reja.

“I kemi disa partnerë të koalicionit qeverisës, të cilët kanë vendosur se nuk do të vazhdojnë më me bashkëqeverisje. Kjo është një situatë e cila kërkon që t’i kthehemi sovranit dhe ai të vendos për qeverisjen e ardhshme”, tha ai.

Sipas Gashit, në aspektin juridik me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj është krijuar një situatë e re Kushtetuese.

“Si duket presidenti ka pasur konsultime me disa parti të vogla dhe më pas e ka konstatuar që PDK-ja si titullar i koalicionit PAN duhet të marr përsipër drejtimin e Qeverisë. Veseli e ka refuzuar një kërkesë të tillë”, tha deputeti në debatin “Talk The Talk”, me temë “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, organizuar nga Departamenti i programeve të Universitetit të Londrës me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science në Kolegjin Riinvest.

Sipas deputetit të LDK-së, tashmë ka mbetur që Kuvendi në mënyrë automatike të vetëshpërndahet.

“Tashmë i bie që me 22 ose 29 shtator do të kemi zgjedhje nëse shpërndahet Kuvendi. Nëse jo, atëherë vlejnë afatet kushtetuese që janë të parapara në këto raste, 60 ditë shpërndarja automatike”, u shpreh ai.