Isufi i AAK-së: Prapaskenat e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka folur për prapaskenat e caktimit të datës 22 gusht për seancën në të cilën mund të të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

“Sa i përket vendimit për shpërndarje, më duhet të sqaroj se është dhënë propozimi për 2-3 data të mundshme, është përmend data 5, 15, 14, por reagimi i përfaqësueses së BE-së, Blerta Bejtullahu së në këtë seancë ka qenë data 22 gushti. Propozim ka qenë që vëzhguesit e BE-së kanë nevojë për kohë më të gjatë për të qenë të përgatitur për zgjedhje”, tha ai, në debatin “Talk The Talk”, me temë “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, organizuar nga Departamenti i programeve të Universitetit të Londrës me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science në Kolegjin Riinvest.

Ky reagim erdhi pasi në të njëjtin debat, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se i druhen mundësisë që mos shkuarjes në zgjedhje, sepse sipas tyre data 22 gusht për shpërndarjen e  Kuvendit është e vonë.

Isufi ka thënë se ftesa e Gjykatës Speciale për kryeministrin në dorëheqje Ramush Haradinaj ka qenë befasi edhe për vetë këtë subjekt politik.

“Zoti Haradinaj ka qenë më së paku i parashikuar që mund të jetë i ftuar nga Dhomat e Specializuara. Nuk është hera e parë që ai i përgjigje në këtë formë drejtësisë, sikur të ishte hera e parë, do të mund të flitej për kalkulime politike”, theksoi Isufi.