Gjykata Kushtetuese ende pa përgjigje për kërkesën e Haradinajt

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, tre javë më parë ka dorëzuar në  Gjykatën Kushtetuese kërkesën për intepretimin e  dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes. Gjykata Kushtetuese thotë se kjo lëndë është në shqyrtim fillestar, përderisa nga njohësit e kushtetutës thuhet se kjo kërkesë duhet të marrë epilog para se të shpallen zgjedhjet.

“Kjo lëndë tashmë është proceduar nga Gjykata dhe aktualisht është në fazën e shqyrtimit fillestar. Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje. Megjithatë, bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës varion nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj. Kjo për aryse se janë një sërë veprimesh procedurale që Gjykata tani duhet të ndërmarrë, si para shqyrtimit e po ashtu edhe pas shqyrtimit të lëndës, të cilat zbatohen me rigorozitet në çdo kërkesë të parashtruar”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ramush Haradinaj, pati deklaruar se ka dorëzuar kërkesë të tillë në Gjykatën Kushtetuese pasi dëshiron që të jetë mirë me ligjin.

Sipas profesorit universitar Mazllum Baraliu, edhe pse nuk ka pasur bazë kushtetuese që të shtrohet një kërkesë e tillë nga kryeministri në dorëheqje, Gjykata Kushtetuese duhet të përgjigjet më shpejtë.

“Qeveria, siç u përmend më sipër, tani më nuk egziston, është zhbërë dhe kryeministri është i dorëhequr. Prandaj, rrjedhimisht me këtë dhe në përputhje me këtë që po themi, mendoj që nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk ka pasur fillimisht që të ngritet një iniciativë e tillë”, ka thënë Baraliu.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryetarit të qeverisë  ka ardhur pas ftesës për tu marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Haradinaj kishte deklaruar se në Hagë nuk do të dëshironte të paraqitej si kryetar i qeverisë së Kosovës.