Glauk Konjufca - Foto: Ilustrim

Konjufca: Zgjedhjet Serbe, Dështim i Qeverisë Mustafa

Organizimin e paralajmëruar të zgjedhjeve serbe të 24 prillit edhe në Kosovë Glauk Konjufca e konsideron dështim të radhës të Qeverisë së Isa Mustafës.

“Ata, në njëfarë mënyre janë pajtuar që zgjedhjet e Serbisë të mbahen brenda Republikës së Kosovës. Po them është pajtuar edhe Qeveria e Isa Mustafës sepse kur ke përgjegjësi shtetërore të pajtohesh me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë do të thotë të mos ndërmarrësh asnjë masë që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë të ndalohen”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Konjufca shtoi se Qeveria e Isa Mustafës nuk ka marrë asnjë masë që t’i pengojë këto zgjedhje.

“Nuk ka asnjë fije dyshimi që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Po ashtu, Glauk Konjufca ka thënë se këto zgjedhje janë shkelje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë e sovranitetit shtetëror, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit të paprekshëm të sistemit zgjedhor.

Sipas Konjufcës, Vetëvendosje e kundërshton fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Nëse Qeveria ka dështuar t’i kryejë funksionet dhe t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj shtetërore dhe kushtetuese, ne ftojmë Policinë e Kosovës që ta zbatojë ligjin. Kjo do të thotë që çdo person dhe politikan që vjen nga Serbia për këto aktivitete të kundërligjshme të ndalohet, arrestohet ose dëbohet”, theksoi shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Konjufca kërkoi të ndalohet veprimtaria e paligjshme e shfrytëzimit të objekteve publike të Republikës së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, si dhe të konfiskohet çdo material zgjedhor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Serbisë.