Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit

Komuna e Lipjanit nënshkruan kontrata pa lejen e kryetarit të komunës

Komuna e Lipjanit gjatë vitit 2018 kishte nënshkruar katër aneks-kontrata pa autorizimin e kryetarit të kësaj komune, Imri Ahmeti

Gjithashtu, në tetë raste zyra e prokurimit kishte zgjatur afatin për përfundim të punëve, pa aprovimet e duhura nga Ahmeti.

Këto janë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku ka theksuar se vlerësimi i dobët i nevojave gjatë hartimit të projekteve, ekzaminimi i dobët i kushteve fizike si dhe vonesa në ekzekutimin e punimeve ishin shkaktar të nënshkrimit të këtyre anekseve.

“Anashkalimi i aprovimit sipas rregullave ishte rezultat i neglizhencës dhe mungesës së kompetencës së menaxherëve të projekteve dhe menaxherit të prokurimit”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.

Sipas Auditorit nënshkrimi i aneks kontratave pa lejen e kryetarit të komunës paraqet shkelje të rregullave të prokurimit.

“Mangësitë në menaxhimin e kontratave rrisin pasigurinë që kontratat janë duke u realizuar në përputhje me kushtet dhe specifikat e parapara. Njëherë mos aprovimi i ndryshimeve-aneks kontratave nga ZKA paraqet mosrespektim të rregullave të prokurimit”, paralajmëron për rrezik Auditori.

Auditori ka rekomanduar kryetarin e komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti se para inicimit të prokurimit për punë, projektet e hartuar paraprakisht të jenë studiuara dhe të përmbushini të gjitha kërkesat dhe qëllimin që duhet arritur, duke eliminuar mundësin e punëve të pa parashkruara apo vonesave.

“Nëse paraqitet nevoja për proceduar të aneksimit të kontratave apo vazhdimit të afateve për përfundimin e punëve, aprovimi të behët vetëm nga personi përgjegjës apo Zyrtari kryesor administrativ”, thuhet tutje.

Në lidhje me këto gjetje të Auditorit, Ahmeti është pajtuar dhe se brenda 30 ditësh  do të dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018.