Pamje nga vendi i ngjarjes. Foto: KALLXO.com.

Vrasja e trefishtë në Lipjan, komuna pezullon aktivitetet e “Mërgata Fest dhe Sport”

Pas tragjedisë e cila ndodhi gjatë ditës së djeshme në fshatin Rufc i Vjetër në Lipjan, komuna ka vendosur që të pezullojë të gjitha aktivitetet e “Mërgata Fest&Sport”.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Lipjanit duke thënë se vendimi ka qenë i kryetarit Imri Ahmeti.

“Të dashur qytetarë, të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport janë pezulluar. Ngjarja e mbrëmshme në familjen Bekteshi tronditi thellësisht mbarë opinionin e gjerë. Bashkë ndjejmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllime familjes Bekteshi, miqve të familjes Bekteshi dhe qytetarëve”- thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit.

Tre trupa të pajetë janë gjetur gjatë ditës së djeshme në fshatin Rufc i Vjetër në Lipjan.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:30 ndërsa policia gjatë ditës së sotme ka dhënë detaje të tjera që lidhen me rastin.

Sipas njoftimit të policisë, përveç armës që është gjetur në vendin e ngjarjes ku dyshohet se kishte burri kishte vrarë gruan e djalin e më pas veten, gjatë kontrollit në një nga dhomat e shtëpisë është gjetur edhe një armë tjetër me dy fishekë.

Në vendin e ngjarjes policia njoftoi se ka gjetur dhe sekuestruar revolen e dyshuar se u përdor në rast dhe katër gëzhoja.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar që trupat e babait, gruas dhe djalit të dërgohen edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti po vazhdon të hetohet nga ana e njësiteve të hetimit për të zbardhur detajet që quan deri te dyshimet se burri fillimisht kishte vrarë gruan e djalin e më pas edhe veten.

Policia ka iniciuar rastin si vrasje e rëndë dhe vetëvrasje.