Logoja e Kompanise Regjionale "Pastrimi" Foto: Facebook

Kompanisë “Pastrimi” i bllokohet xhirollogaria si pasojë e borxhit

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka njoftuar se i është bllokuar xhirollogaria bankare.

Sipas tyre kjo ka ndodhur si pasojë e borxhit total prej 2 milion e 157 mijë eurove, që e ka ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Vlera e borxhit është 1 milion e 394 mijë euro, i trashëguar ndër vite nga koha e pasluftës, kurse tarifa e Kamatës Ligjore është 732 mijë euro, duke e arritur shifrën 2 milion euro në total.

Në njoftimin e kompanisë, thuhet se borxhi është grumbulluar si pasojë që qytetarët nuk kanë paguar për shërbimin, ndërsa KMDK-ja ka dërguar kompaninë “Pastrimi” tek përmbaruesi, duke i bllokuar të gjitha xhirollogaritë bankare të kompanisë.

“Me bllokimin e xhirollogarive, kompanisë i pamundësohet grumbullimi dhe largimi i mbeturinave në territorin e komunave ku kryejmë shërbim. Gjithashtu duhet pasur parasysh faktin që kompania “Pastrimi”, ka 600 punëtorë të punësuar me çka rrezikohet ekzistenca e familjeve të tyre, pa përmendur faktin  që  qyteti i Prishtinës dhe qytetet tjera mund të kaplohen nga ndonjë epidemi që do ta rreziokonte shëndetin e gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e “Pastrimit”.

Kompania gjithashtu ka bërë të ditur se që nga paslufta kryen shërbim për 7mjië 100 familje me asistencë sociale, që ka koston e 500 mijë eurove në vit dhe nuk është rimbursuar asnjëherë nga komunat dhe Qeveria, kurse vetëm për Ligjin për Faljen e Borgjeve Publike, kompania ka falur 10 milion euro borxh qytetarëve.

“Pastrimi” thotë se me bllokimin e xhirollogarisë, rrezikohet grandi prej 27 milion eurove nga Banka Gjermane për Zhvillim, me të cilën kanë qenë duke negociuar, kurse iu ka bërë thirrje institucioneve për marrjen e masave dhe tejkalimin e kësaj situate.