Ilustrimi: Flickr

Kompania e energjisë së ripërtëritshme fiton statusin ‘investitor strategjik’

Qeveria e Kosovës vendosi sot që t’ia japë statusin e investitorit strategjik kompanisë gjermano-kosovare të energjisë së ripërtëritshme “Sowi Kosovo L.L.C”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha në mbledhjen e sotme të qeverisë se kjo kompani i ka përmbushur obligimet për ta marrë këtë status me rreth 170 milionë euro investime brenda periudhës 5 vjeçare.

Investimi do të bëhet në Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.

“Ne kemi interesin për këta investitorë, në energji dhe miniera, administrim të ujërave të zeza, shendetësi etj”, tha ministri Endrit Shala.

Për Haradinajn, ky është një |lajm i mirë” për Kosovën.

“Ky është një lajm i mirë. Për herë të parë Qeveria e Kosovës po e trajton një investim strategjik përmes ligjit. Për bindjen time këto janë lajmet më të mira që i duhen Kosovës”, tha Haradinaj.

Më 24 janar, kryeministri Haradinaj kishte pritur në zyrë drejtuesit e kësaj kompanie e cila do të investojë në energjinë e ripërtëritshme me erë.