Ish-ministri Hasani: Monopoli i naftës ka qenë plan i njerëzve të Nismës Socialdemokrate

Në emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet hulumtimi rreth krijimit të trupave inspektuese për kontrollin e cilësisë së naftës.

Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës këtë vit ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës. Kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes, i cili është baxhanaku i ish-ministrit Endrit Shala.

Ish-ministri i Tregtisë nga Nisma Socialdemokrate, Bajram Hasani ka thënë se ‘monopoli’ i naftës ka qenë plan i kësaj partie që në kohën kur ai ishte ministër.

Madje Bajrami ka thënë që kjo ka qenë agjendë e pasardhësit të tij Endrit Shala.

“Kjo ka qenë agjendë e dikujt për të shty, jo qëllimi për të kontrollu cilësinë e naftës po qëllimi ka qenë për t’i shërby dikujt apo për t’i dhënë hapësirë për të bërë biznes, dhe ne kemi pa këtë tendencë të dikujt që po don me i shty këta trupa të jashtëm, unë e kam ndalë”, tha Hasani.

Hasani ka thënë që ish-ministri Endrit Shala e ka ndjekur agjendën që tenderin ta marrë baxhanaku i tij, Valder Teneqja.

“M’i dhanë boxhanakit tender për me ta kontrollu cilësinë e naftës kjo nuk është arsye ose qëllim për më kriju naftë cilësore në Kosovë, qëllimi është me përfitu. Sot tenderin e ka fitu baxhanaku i Endrit Shalës që unë e kam ndalu”, tha ai.

ish-ministri i Nismës u shpreh i çuditur se si Nisma ka udhëhequr me MTI-në që një kohë të gjatë dhe vetëm tani kanë arritur qëllimin.

“Unë çuditna qysh këta tri vjet e kanë pas Ministrinë në dorë edhe nuk e kanë bërë”, tha Hasani.

Valdet Teneqja, pronari i kompanisë “Euro Inspekt”, është baxhanaku i Endrit Shalës, ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

Teneqja thotë se emërimi i tij nuk lidhet me baxhanakun e tij ani pse vendimi e mban nënshkrim e baxhanakut.

“Është e vërtetë që unë jam baxhanak i Endritit. Unë në MTI fushën e kontrollit të cilësisë së naftës e mbuloj prej vitit 2008 dhe kam eksperiencë të gjatë në këtë fushë dhe pastaj në vitin 2018 vendosa ta hap ketë kompani si trup inspektuese sepse unë jam ekspert i kësaj fushe dhe mendoj me zgjeru akoma edhe me shumë dhe pretendoj me kalu edhe për trupë certifikuese se ka nevojë në Kosovë kështu që kur unë kam qenë baxhanaku nuk e besoj që e ka ditë që jam. Unë nuk mendoj që ka konflikt interesi sepse kemi të bëjmë me një fushë shumë specifike dhe momentin kur e  ka bërë emërimin Endriti kompetencat kanë qenë te Dogana e Kosovës dhe as qe është menduar me u kthy”, theksoi Teneqja.

Si e emëroi ish-ministri Endrit Shala baxhanakun për kontrollin e cilësisë së naftës?