Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hykmete Bajrami reagon pas kthimit të kontrollit të cilësisë së naftës në Doganë

Ish ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami përmes një postimi në facebook ka reaguar pas vendimit të ministres së Ministrisë së Tregtisë, Rozeta Hajdari për kthimin e kontrollit të cilësisë së naftës në Doganën e Kosovës.

Bajrami në postimin e saj ka shkruar se pas shumë kundërshtimeve, gjatë kohës sa ishte ministre në vitin 2017, kishte nxjerrë Udhëzimin Administrativ, për kalimin e kontrollit të naftës në Doganën e Kosovës.

“Së bashku me një ekip të ekspertëve përkundër kundërshtive të mëdha në vitin 2017, në cilësinë e ministres së Tregtisë dhe Industrisë pata nxjerrë Udhëzimin Administrativ 01/2017 për kalimin e kontrollit të naftës të Doganat e Kosovës”, ka shkruar Bajrami, duke i bashkëngjitur postimit edhe vendimin e sotëm të qeverisë, i cili i referohet vendimit administrativ të lëshuar nga ish ministrja Bajrami.

Por, i njëjti Udhëzim Administrativ, ishte shfuqizuar nga ish ministri i Ministrisë së Tregtisë, Vesel Krasniqi, i cili ishte ministër në qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i bërë në kohën e Veselit, kontrollin e cilësisë së naftës ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo ministri.

Ministria e Tregtisë dhe industrisë kishte emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës: kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes.

Valdet Teneqja është baxhanaku i Endrit Shalës, po ashtu ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë nga Nisma Socialdemokrate.

 

‘Pingpongu’ mes kryeministrit Hoti dhe ministrit Krasniqi për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kontrollin e naftës