Komisioni hetimor per telekomin - 2019-05-07

Komisioni Hetimor për Telekomin miratoi listën e personave që do t`i intervistojë për kontratën me Z-Mobile

Komisioni Hetimor për krizën në Telekomin e Kosovës, ka miratuar listën e personave të cilët pritet t`i intervistojë lidhur me kontratën me kompaninë ‘Z-Mobile’.

Komisioni Hetimor Parlamentar ka miratuar një listë të personave që do të intervistohen lidhur me gjendjen e ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës.

Kjo ndërmarrje momentalisht ka një ultimatum për pagesën e një borxhi mbi 25 milionë euro ndaj kompanisë Z Mobile, nën kërcënim se ky borxh do të përmbarohet.

Deputetët në Komisionin Hetimor Parlamentar votoi sot listën e dëshmitarëve për të cilën u tha se mund të azhurnohet gjatë procesit.

“Intervistat do të fillojnë nga menaxhmenti, Bordi e më tej te  politika, fillimisht me menaxhmentin gjatë të cilit është nënshkruar kontrata”, tha deputeti i Partisë Social Demokrate, Visar Ymeri.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj propozoi që në listë të futet zyra ligjore që e ka mbrojtur Telekomin e Kosovës në Arbitrazh.

Sipas deputetit Ymeri ‘do të kishte qenë e udhës të hënën të fillohet me intervistën me drejtuesin e Bordit në kohën kur kanë fillu negociatat në 2007.

 

Lista e personave që pritet të intervistohen

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për Telekomin se Blerim Devolli së fundmi ka drejtuar kërcënime në drejtim të Telekomit.

“Së fundi ka pasur kërcënime të Blerim Devollit karshi Telekomit për vendimit të Arbitrazhit dhe kjo është një rrethanë e re. E kuptoj që e drejta jonë, por duhet të kërkojmë zgjidhje nga Gjykata që të pezullohet përkohësisht”, tha Haxhiu.

Sipas saj Komisionit duhet që këtë: “Shqetësim të shumicës së subjekteve publike, kërkoj publikisht që ta mbështesni një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e Telekomit. Propozim është që të futet një pikë e rendit të ditës për kërcënimin që ia ka bërë Blerim Devolli, Telekomit”, tha ajo.

Ndërsa, Armend Zemaj nga LDK, tha se është pro që të mbahet seanca por duke mos e përfshirë edhe punën hetimore të Komisionit.

“Personalisht kisha mendu që mos t’i përziejmë gjërat në aspektin procedural. Jam për me mbajtë seancën por pa e përfshi punën e Komisionit. Kjo sepse tash hyjmë edhe në procedurat e intervistimit. Kjo edhe ta ruajmë çështjen e privatësisë. Gjendja aktuale është ma shumë se një fakt është në degradim e sipër dhe kolaps financiar. Interesi jonë është që nuk mundemi t’i përmirësojmë pasojat por që t’i evidentojmë kush ka sjellë te pasojat. Pra kush i ka futur duart të dal në sipërfaqe. Pra unë për me ruajt punën e Komisionit”, tha Zemaj.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se marrëveshja e parë që është nënshkruar nga Blerim Devolli dhe Adnan Merovci dhe marrëveshja mes PTK së dhe Shyqyri Haxhajt, nuk është vula e njëjtë, nuk është e njëjta kompani.

“Këtu ka diçka, po flasim për dy kompani të ndryshme. I kam shiku edhe të tjerat, anekset nuk janë të nënshkruara, nuk janë të vulosura edhe pse ato janë pjesë e marrëveshjes. Pra t’i shikojmë se a janë ofru ato produkte, ku kanë shku ato miliona. Kemi me hetu denjësisht edhe kemi me dalë me konkluzione. Gjendja që ka ardhë deri këtu, nuk kam pa me ia marrë dikujt produktin edhe ti me i fitu 75 përqind edhe në fund me falimentu, kjo është zhvatje. Unë jam me diskutu në Kuvend, me Qeverinë që me nxjerrë Telekomin prej situatës. Nëse ka marrë dividentë prej Telekomit tash duhet me marrë përgjegjësinë me nxjerrë prej situatës”, tha Haxhiu.

Milaim Zeka, deputet i NSD-së tha se Sindikata e Telekomit kanë heshtur në kohën e nënshkrimit të kontratave.

“Kjo çka është duke ndodhur me Telekomin nuk është fare dramatike për mu. Edhe nëse mbyllet krejt Telekomi nuk është aspak dramatike. Sindikata e Telekomit është dashtë me reagu në momentin që është nënshkru kontrata. Krim kanë bërë ata që kanë dhënë çelësat e Telekomit Blerim Devollit. Pse a nuk po kemi Gjykatë e Prokurori që e kish vërtetu atë që e përmendi deputeti Haxhiu për vula e nënshkrime, a munden me u dënu për falsifikime. Dikush prej politikanëve iu ka thënë me e nënshkru atë kontratë se ata nuk e kanë bërë krye në veti”, tha Zeka.

Pas diskutimeve mes anëtarëve të Komisionit Hetimor me vota unanime ka kaluar propozimi që t’i drejtohen me një kërkesë zyrës ligjore të Kuvendit

“T’i drejtohemi Zyrës Ligjore të Kuvendit se a kemi mundësi me iu drejtu Gjykatës për pezullim të vendimit. I jepet kohë Zyrës Ligjore që të kthejnë përgjigje brenda ditës”, tha Visar Ymeri nga PSD, kryesues i Komisionit Hetimor.