Komandanti i KFOR-it: Kosova ka Përparuar

Ai dje vizitoi Gjakovën, ndërsa u takua me kryetaren e kësaj komune Mimoza Kusari-Lila.

Gjeneral-majori Miglietta gjatë takimit me kryetaren Kusari-Lila u interesua për bashkëpunim me autoritetet komunale për monitorimin e valës së migrimit dhe personave që u bashkohen luftërave të huaja.

Migllietta vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës për mbajtje të situatës stabile në Kosovë.

Kryetarja Kusari-Lila tha se kabineti i drejtuar prej saj është fokusuar në zhvillim ekonomik.

“Një prej aspekteve më të rëndësishme në të cilën jemi fokusuar që të punojmë qysh prej ardhjes time në qeverisje të nivelit lokal, kanë qenë programet zhvillimore në fusha të ndryshme të infrastrukturës bazike dhe ekonomisë, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe stabil për të ardhmen e vendit,” tha Kusari-Lila.

Ajo ia bëri të ditur mysafirit të lartë se Gjakova e ka më të vështirë misionin e zhvillimit, pasi u dëmtua shumë gjatë luftës.

“Komuna e Gjakovës ka pasur më së shumti pasoja nga lufta e fundit në Kosovë, prandaj dhe e ka pasur më të vështirë rimëkëmbjen ekonomike. Megjithatë po punojmë me programe të ndryshme duke përfshirë familjet e kategorive të prekura nga lufta që të shikojmë mundësi të reja të angazhimeve për të ardhmen e këtyre familjeve,” sqaroi Kusari-Lila.

Komandanti i KFOR-it Kosova ka bërë progres në çështjet që lidhen me sigurinë.