Gjatë nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor AAK-Nisma

Koalicioni AAK- NISMA, Presion Mbi Vetëvendosjen

Marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, analistët politik në Kosovë po e shohin në këndvështrime të ndryshme.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se nënshkrimi i marrëveshjes e cila do t’i çojë bashkë në zgjedhjet e ardhshme AAK-në e Nismën, si dy forca politike është fundi i opozitës së bashkuar.

Mushkolaj tha për KALLXO.com, se këto dy subjekte nuk e kanë për qëllim kryesor largimin e kësaj qeverie.

“AAK dhe Nisma nuk e kanë qëllimin kryesor që me e heqë këtë qeverisje aktuale. Me këtë formalizim të marrëveshjes konsideroj se këto dy parti po bëhen gati që të bëhen bashkë me ndonjërën nga partitë që t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron që po ndahet rruga e opozitës së bashkuar pavarësisht se, sipas tij, ka ende hapësirë që të jenë të bashkuara nëse ekziston vullnet.

“Edhe nëse nënshkruhet marrëveshja dhe nëse bëhen bashkë Aleanca me Nismën, prapë se prapë mund të jenë bashkë me Vetëvendosjen në opozitën e bashkuar. Po natyrisht se nëse do të qëndronin bashkë sikur deri para disa jave kanë qenë shanset shumë më të mëdha që të arrihet qëllimi që ka qenë largimi i qeverisë aktuale”, tha Mushkolaj.

Në këtë formë si po veprojnë Aleanca dhe Nisma, Mushkolaj e sheh si një farë lloj loje të ardhjes në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme këto dy subjekte.

“Në një farë forme po qe se kishin dashur që këto dy parti me Vetëvendosjen të qëndrojnë deri në fund dhe të mos përçahen me idenë që të largohet kjo qeveri, atëherë do të na kishin bindë edhe neve që është ashtu, por po duket se ka probleme dhe nuk po qëndrojnë ashtu. Logjikisht qëllimi i tyre është hyrja në qeveri”, tha Mushkolaj.

Ndryshe nga Mushkolaj mendon Nexhmedin Spahiu. Ai tha për KALLXO.com se kjo marrëveshje është tërheqje e vëmendjes ndaj VV-së.

“Marrëveshje e duhur dhe mësim për të ardhmen sepse forcat opozitare duhet të organizohen për të marrë pushtetin. Mendoj që marrëveshja mes AAK dhe Nisma është një farë lloj tërheqje e vëmendjes Vetëvendosjes e cila është sjellë me arrogancë si parti politike më e madhja e opozitës dhe tani ky koalicion mes dy forcave e përbëjnë partnerin më të madh opozitar”, tha Spahiu.

“Mendoj që tani VV-së  i mbetet ose të bashkëngjitet ose të digjet, kjo është rruga. Varet edhe sa këto dy forca do të tregohen të hapura për shoqërinë civile dhe personalitete tjera që ta bëjnë një alternativë më joshëse karshi pushtetit”, theksoi Spahiu.

Ndërsa Besa Luzha tha se pas zgjedhjeve përsëri këto koalicione të sapoformuara dhe të tjerat patjetër duhet ta shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me rastin e formimit të qeverisë.

“Mendoj se çdo opsion i cili nuk siguron rreth 40% te votave nuk mundëson ndryshimin e kërkuar përmes zgjedhjeve te reja. Kjo për shkak se interpretimi kushtetues i dhënë herën e kaluar i jep të drejtë të provojë formimin e qeverisë vetëm atij subjekti apo koalicioni parazgjedhor që rreshtohet i pari me numër të votave”, tha ajo.